Kompania Air Albania, flamuri dhe krenaria e Shqipërisë siç e quan kryeministri, është vendosur në sekuestro për shkak të borxheve të papaguara.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit është depozituar një shkresë ekzekutimi nga zyra përmbarimore Bailiff Services Albania për vendosjen e sekuestros konservative mbi aksionet e Air Albania, me qëllim mostjetërsimin e tyre deri në shlyerjen e borxheve.
Sekuestro mbi kuotat është vendosur për llogari të Sinan Isik, ish numrit 2 të Air Albania. Isik ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Air Albania nga gushti i vitit 2018 deri në fund të vitit të kaluar. Nuk dihet se sa është shuma e borxheve që Air Albania ka ndaj Isik, por në urdhrin e sekuestrimit të aksioneve thuhet se kompania nuk ka paguar detyrimin edhe pas njoftimit zyrtar.