Ben Blushi: Shpresoj që ‘Komploti’ të mos nxisë shqiptarët të komplotojnë. Nuk mendoj për vendimmarrësit, por…

Shkrimtari Ben Blushi, i cili këtë vit është përfaqësuar në Panairin e librit me “Komplotin”, shpjegoi edhe më shumë brendësinë e romanit të tij më të ri.

Në një intervistë për gazetaren e News24, Fatmira Nikolli, Blushi u ndal te disa prej çështjeve që trajton romani, siç është dhe shpopullimi i vendit apo dhe ardhja e emigrantëve. Mes të tjerash ai sqaroi se shpreson që “Komploti”, mos të shpërbejë për shqiptarët, që të komplotojnë.

INTERVISTA

Shkrimtari Ben Blushi ka sjellë para lexuesit në këtë panair romanin e tij më të fundit, “Komploti”. Nga stenda e “Pegit” në panair, ku ka takuar lexues dhe ka dhënë librat e tij me autografë, në një intervistë për gazetaren e “News24”, Fatmira Nikolli, Blushi u ndal te disa prej çështjeve që trajton romani, siç është dhe shpopullimi i vendit e ardhja e emigrantëve. Mes të tjerash ai sqaroi se shpreson që “Komploti”, mos t’i nxisë shqiptarët të komplotojnë.

INTERVISTA

-Blushi, si ka ecur romani “Komploti” në panair?

Besoj se ka ecur mirë. Duhet të pyesni lexuesit.

A është shpërndarë “Komploti”, po komplotohet tashmë?

Unë shpresoj që “Komploti nuk i nxit shqiptarët që të bëjnë më shumë komplote, sepse janë bërë shumë. Megjithatë, kjo nuk është arsyeja që e kam shkruar. Unë jam i kënaqur sepse kam pasur një kontakt shumë të mirë me lexuesin. Ata kanë ardhur si pothuajse çdo vit në panair, por ky panair më duket pak më i shëndetshëm.

-Ju kam parë që përveç me lexuesit, keni ‘komplotuar’ edhe me politikanë të bindjeve të ndryshme…

Me kë kam komplotuar?

Me Bashën!

Jo. Unë nuk i ndaj lexuesit në politikanë apo qytetarë të zakonshëm. Kushdo që ka ardhur ka marrë një libër dhe më vjen mirë që e kanë marrë.

-Afganët janë në qendër të librit tuaj e po ashtu hebrenjtë, që bashkohen në një komplot që ndodh në një Shqipëri të së ardhmes…

Libri ka shumë personazhe. Ngjarjet zhvillohen në Shqipëri, dhe Shqipëria po bëhet një vend, evropian normal, ku jetojnë të huaj, afganë, sirianë, iranianë, hebrenj natyrisht dhe gjithë këta, krijojnë një konflikt njerëzor, që e kam shfrytëzuar për të bërë këtë libër.

-Ky nuk është libër vetëm me komplot dhe politikë. Libri ka edhe një histori dashurie…

Unë nuk jam i shquar për të shkruar histori dashurie dhe ka shumë njerëz që ma thonë këtë gjë. Por është normale që njerëzit kanë nevojë për dashuri. Nuk është se nuk kanë dashuri librat e mi dhe ky libër e ka një fill dashurie. Nëpër të, përshkohet historia e dashurisë së një afgani që bën karrierë në Shqipër, një refugjati në Shëngjin me një vajzë shqiptare katolike. Raporti i tyre krijon një balancë të bukur brenda romanit dhe i jep një drejtim të caktuar sepse konfliktit ose komplotit, që përpiqet që të realizojë burri, në fakt e shoqja i jep një tjetër drejtim. Ndaj besoj që raporti mes tyre është interesant në libër.

 

-Një çështje tjetër që ju trajtoni në romanin “Komploti”, është një temë pak e cekur në Shqipëri. Bëhet fjalë për eutanazinë. Çfarë është eutanazia?

 

Eutanazia është një vdekje e ëmbël siç quhet. Vjen nga fjala greke thanasos, që është vdekja, dhe është një vdekje “e mirë”, një vdekje e asistuar quhet në gjuhën shkencore. Shumë vende të Europës po e praktikojnë për pacientë terminal, ata që humbasin shpresën dhe nuk kanë kthim mbrapa sipas mjekëve. Shqipëria është larg këtij debati, por unë e kam përfshirë në libër sepse një ditë do të vijë edhe këtu. Ka shumë njerëz fatkeq që kanë nevojë t’i japin fund jetës së tyre. Kjo është e pakëshillueshme për askënd, por ditën që shkenca e vendos, ndoshta duhet të ndodhë. E kam këtë konflikt në libër, në një masë të caktuar, si një eksperiment që është bërë në Shqipërinë e vitit 2044, që është koha kur libri i vendos ngjarjet.

-Përveçse histori dashurie, politikë e ngjarje të së ardhmes, shpopullimi, është pikë tjetër që prek romani…

Shpopullimi është tema që përshkon gjithë librin. Ngjarjet zhvillohen në vitin 2044, kur Shqipëria fatkeqsisht është më e vogël se sa është sot. Shqipëria e sotme është më e vogël se ajo e para 30 viteve. Me këtë projeksion ndoshta do të jemi edhe më pak. Nuk them se kjo është fatale, por gjë që po ndodh. Siç ne ikim në Europë, dikush do të vijë te ne, kur ne të jemi në Evropë. Ky është një proces i pandalshëm, derisa stopohet dhe ndoshta Shqipëria do të rritet gradualisht. Me çfarë? Me shqiptarë dhe ndoshta edhe me emigrantë të huaj. Është normale besoj.

-Libri i dedikohet që në fillim, “atyre që mund t’i ndalin këto ngjarje të ndodhin”.

Po, unë zakonisht i dedikoj librat që shkruaj dhe padyshim ua dedikoj njerëzve të dashur.

Këtë ia kam dedikuar “atyre që mund t’i pengojnë ngjarjet e këtij romani, të ndodhin vërtetë”. Që do të thotë se unë, nuk kam dëshirë që ato që janë parashikuar në roman, të ndodhin. Secili nga ne mund të bëjë diçka që e ardhmja e Shqipërisë të mos jetë kaq e paparashikueshme. Në fund të fundit, ky është një roman, jo një parashikin, është vetëm një roman.

-Nuk është një profeci?

Jo. Unë nuk jam profet, as fallxhor. Ky është një roman, unë jam një shkrimtar që përpiqem të shkruaj mirë që njerëzit të kënaqen sadopak

-Një mesazh për librin, leximin dhe panairin?

Panairi është mundësia më e madhe që kanë njerëzit për të pasur një raport me librin, për shkak se tregu i librit është dëm tuar në shumë vite. Shumica e librarive janë kthyer në restorante ose në punishte dhe është e vështirë që libri të gjejë hapësirë në jetët me shumë probleme, me ekonomi të vështirë, me instagram, me sport. Libri ka gjetur shtegun e vet dhe e gjen shtegun në panair ku sot kanë ardhur shumë njerëz.

-Ke marrë reagime nga vendimmarrësit?

Nuk mendoj fare për vendimmarrësit, por vetëm për lexuesit. Ata marrin vendime për librat e mi.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *