Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin nga arrest me burg në arrest shtëpie. Ndërsa avokati Genc Gjokutaj bëri me dije se për ish-kryeministrin Sali Berisha nuk është ndryshuar masa e sigurisë.
“Siç ju njoftuam dje, gjykata shpalli vendimin duke miratuar për pjesën e zotit Berisha dhe duke ndryshuar pjesën për Jamarbër Malltezin dhe duke caktuar masën e sigurimit, atë të arrestit në shtëpi. Sigurisht kjo çështje mbetet politike. Është një gërvishtje sepse Jamarbër Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti”, tha Gjokutaj.
Vendimi është marrë nga një trup gjykues që drejtohej nga gjyqtarja Iliriana Olldashi:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi vendosi miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit Sali Berisha.
Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit Jamarbër Malltezi, si më poshtë:
Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit Jamarbër Malltezi, duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të. Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit it ë hetuarit Jamarbër Malltezi në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër”, thuhet në komunikimin për media të gjykatës.