Zyrtarët amerikanë dhanë shpresa se mes Izraelit dhe Palestinës mund të ketë shumë shpejt një marrëveshje në lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi, që rrjedhimisht do të sillte nëj reflektim për uljen e tensioneve mes dy vendeve.
“Ne kemi shpresë… por ka ende punë për të bërë”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby. Edhe presidenti i SHBA-ve, Joe Biden tha gjithashtu se besonte se një marrëveshje ishte afër.
Ndërsa gazeta izraelite “Haaretz” thotë se është rënë dakord që Hamasi të lirojë 50 pengje nga të cilët 30 janë fëmijë, 8 nëna dhe 12 gra të tjera. Kjo është marrëveshja që kryeministri Benjamin Netanyahu i ka paraqitur qeverisë për miratim. Në këmbim Tel Avivi do të lirojë 150 pengje palestinezë dhe do të bëjë një armëpushim 4-ditor. Lëvizjet për një marrëveshje për lirimin e pengjeve u rritën ndjeshëm ditët e fundit ku u përfshi edhe Katari, i cili ishte i rëndësishëm në sigurimin e lirimit të 4 pengjeve muajin e kaluar. Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq ka udhëtuar në Katar ku po kryhen negociatat për pengjet dhe ku qëndron lidershipi politik i Hamasit.
Në një deklaratë, Kryqi i Kuq tha se presidentja e tij, Mirjana Spoljaric kishte udhëtuar atje për të çuar përpara çështjet humanitare. Kryqi i Kuq thotë se nuk po merr pjesë në negociatat e drejtpërdrejta që do të çojnë në lirimin e pengjeve, por do të ndihmojë për të lehtësuar lirimin pasi të jetë rënë dakord mes palëve. Deri më tani, kjo organizatë grupi ka lehtësuar lirimin e 4 pengjeve nga Hamasi. Ata ishin një nënë dhe vajza e saj, shtetas amerikanë dhe 2 gra të moshuara izraelite.