Pas mbledhjes Komisioni i Etikës i Kuvendit ka vendosur të përjashtojë me 10 ditë deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Flamur Hoxha. Ndërkohë nuk janë përjashtuar Sorina Koti dhe Albana Vokshi.
Ky vendim vjen pas kërkesës së një grupi deputetësh të PS, të cilët deklaruan se kërkonin marrjen e masës ndaj emrave të mësipërm, për shkak të situatës së krijuar në Kuvend seancën e shkuar.
“Deputeti Bardhi konfliktohet me punonjësit e sigurisë në sallën plenare dhe në një moment ai hedh një karrige në drejtim të tyre duke dëmtuar rëndë njërin prej gardistëve në dorë. Deputeti Flamur Noka mori karriget te cilat ishin vendosur si barrikadë në një nga hyrjet e sallës plenare dhe i vendosi mbi foltore duke e bllokuar atë.
Deputeti Noka mban dy flakadanë duke i drejtuar ato drejt drejtueses së seancës, kryeministrit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Deputeti Bledjon Nallbati nga vendi ku ulet merr flakadanë nga çantat e deputeteve Sorina Koti dhe Albana Vokshi të vendosura mbi tavolina dhe i ndez ato duke shkaktuar kaos në sallë.
Situata agravoi edhe me shumë në momentin kur deputeti Bledjon Nallbati nxjerr nga çanta e deputetes Albana Vokshi një kuti e cila mori flakë menjëherë, gjithashtu i ndihmuar edhe nga deputeti Flamur Hoxha, këtu kuti e vendosi ne tavolinën përpara duke dëmtuar pajisjen elektronike të votimit, duke rrezikuar që flakët të përhapeshin në sallë”, thuhej ndër të tjera në shkresën e PS drejtuat Lindita Nikollës.