Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, ka depozituar dje në SPAK një kallëzim penal të jashtëzakonshëm për nga përmbajtja dhe numri i qytetarëve që përfshin.
“Bëhet fjalë për një prej veprimtarive kriminale më të rënda të ndodhura vitet e fundit, filluar në vitin 2016, që nëse nuk ndalet sot, do përhapet me shpejtësi gangrenizimi të pashërueshme në gjithë shoqërinë shqiptare. Pasojat e kësaj veprimtarie prekin një pjesë të mirë të popullatës në të gjithë vendin” – thuhet në kallëzim.
Të akuzuarit janë 13 persona mes të cilëve, përmbarues, ish-përmbarues, vlerësues të pasurive të paluajtshme, përfaqësues ligjorë dhe ortakë të institucioneve financiare jobanka, si dhe persona të lidhur me ta. Materiali kallëzues drejtuar SPAK, shoqërohet me një dokumentacion provues me rreth 15 000 dokumente dhe akte.
“Provat shkresore tregojnë se në 27 bashki të vendit janë zhvilluar mbi një mijë ankande fiktive ku qytetarëve u janë marrë apo grabitur pronat nga “Micro Credit Albania” ose “Final”, me metodën online pranë drejtorive vendore të Kadastrës. Nga komunikimet me bashkitë në gjithë territorin përllogaritet që janë shpallur mbi 4 000 ankande fiktive pronash dhe pasurish të paluajtshme” – thuhet në një njoftim të Dhomës të shpërndarë për media sot në mëngjes.
Sipas këtij njoftimi, viktima të ankandeve fiktive, janë shumë individë që nuk jetojnë apo banojnë në Shqipëri dhe nuk kanë dijeni që u është marrë prona.
Më poshtë, pjesë nga deklarata e pazakontë e Dhomës së Përmbaruesve:
“Të dhënat e depozituara pranë SPAK janë të plota, për çdo individ, shtetas që ka rënë pré e këtij grupi të strukturuar kriminal; të dhëna dhe fakte shkresore që tregojnë për mijëra ankandet për shitjen e mijëra pasurive të paluajtshme të qytetarëve shqiptarë, të gjitha me vlera qesharake, me vetëm synim – qëllimin final- atë të kalimit të pronave nga apartamente deri troje, në pronësi të këtij grupi të strukturuar kriminal.
Dhoma Kombëtare po ndjek çështjen nga afër dhe do bashkëpunojë çdo ditë me organin e akuzës speciale për të stopuar njëherë dhe përgjithmonë këtë veprimtari kriminale, që prej vitesh ka atrofizuar jetesën e mijëra familjeve shqiptare, kjo nën trysninë e pashpirt të Shërbimit të Përmbarimit Mikrofinanciar dhe që prej 10 muajsh të këtij viti, po gllabëron pa asnjë skrupull moral e ligjor- pronat dhe pasuritë e paluajtshme të familjeve shqiptare.
Dhoma Kombëtare u bën thirrje mediave dhe gjithë publikut të gjerë të shohin faktet që po i sjellim me aktet bashkëngjitur dhe të njoftojnë njëri-tjetrin, të gjithë individët dhe familjet e prekura nga ky grup i strukturuar kriminal, që aktualisht prezantojnë vetëm 1305 raste të ankandeve fiktive të shpallura për shitje pronash, por që janë shumë më tepër dhe që mund të kenë përfunduar me grabitjen e tyre.
U bëjmë thirrje qytetarëve të verifikojnë sa më shpejt, pranë administratës së bashkive dhe gjykatave ku kanë pronat, nëse pasuritë e tyre të paluajtëshme janë përfshirë në ankandet fiktive deri ditën e këtij njoftimi. U bëjmë thirrje të gjithë të mashtruarve që kanë riblerë me “dhurim” pronat e tyre nga pronarët e rinj mikrofinanciarë të mos kenë frikë, dhe të tregojnë të vërtetën e tyre, në SPAK, pranë Dhomës, në Media, kudo. Askush nuk mund t‘i shantazhojë më…”
Për linkun me dokumentacionin dhe emrat e qytetarëve që janë viktima të skemës së kallëzuar në SPAK nga Dhoma e Përmbaruesve, klikoni sipas bashkive KËTU
Deklarata e plotë e Dhomës së Përmbaruesve mund të lexohet duke klikuar KËTU