Kryeministri Edi Rama ndodhet në një konferencë për shtyp me mediet në Kryeministri. Rama e nisi me vendimin e gjykatës së Strasburgut për 21 janarin.
“Krime shtetërore si ajo e 21 janarit, historia mëson se vonojnë të zbardhen por nuk mbeten kurrë pa zbardhur”
Rama tha më tej se “Prokuroria e Tiranës është tallur me kushtetutën dhe ligjin dhe dhimbjen e familjarëve të viktimave. Është koha që drejtësia e re të reagojë”.
“Prokuroria e Tiranës është tallur me kushtetutën, ligjin, dhimbjen e familjarëve të viktimave dhe e ka trajtuar si një leckë një provë të re të dalë para disa muajsh. Është koha që drejtësia e re të reagojë dhe ndërkohë qysh se ky krim ka marrë rrugën e prokurorive dhe gjykatave të vendit, ka ndryshuar struktura e sistemit të drejtësisë dhe personalitetet.
Vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbëzës së automatikut, por nga urdhri që ka ardhur nga maja. Nga ana tjetër, Gjykata e Strasburgun vë gishtin edhe tek pengimi i drejtësisë. Autoritetet ekzekutive kanë penguar në mënyrë brutale dhe kriminale drejtësinë që të veprojë për të nisur zbardhjen e këtij krimi. Unë e kam bindje të pa lëkundur që nuk ka asnjë forcë që mund ta pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 janarit, por sigurisht mund të vonohet”, tha Rama.