Fundjava pritet të ketë reshje shiu, borë dhe rënie të ndjeshme të temperaturave. Masat ajrore të ftohta me origjinë polare do të sjellin për ditën e shtunë mot të vranët me reshje shiu e bore.
Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme me intensitet mesatar dhe lokalisht deri të lartë në formën e shtrëngatave, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Në zonat malore, në verilindje në lartësinë mbi 200 metra dhe në pjesën tjetër të vendit në lartësinë mbi 700-800 metra, reshjet do të jenë në formën e dëborës. Në verilindje reshjet e borës parashikohen të jenë edhe në formën e stuhive të borës.
Por duke filluar nga orët e mbrëmjes së ditës së shtunë, presim një përmirësim gradual të kushteve meteorologjike, ku reshjet e shiut dhe të borës do të humbasin intensitet dhe territor. Dita e diel parashikohet të ketë mot kryesisht të kthjellët, por të ftohtë. Era do të jetë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi mesatare deri në 8m/sek, e cila hera-herës fiton shpejtësi deri në 16m/sek.