Presidenti i Punëdhënësve Gjermanë, Rainer Dulger llogarit që Gjermania do të humbasë mirëqenie, si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore. Ai është i mendimit, se “nuk ka për të qenë plotësisht e korrigjueshme mungesa e fuqisë punëtore”. Kështu u shpreh Dulger për gazetën “Bild am Sonntag”. Kjo do të bëjë që ne në këtë vend do të humbasim mirëqenie, sipas Dulger, i cili kërkoi nga politika të marrë masat për të zbutur këtë problematikë. “Gjermania duhet të bëhet sërish atraktive për fuqi të kualifikuar nga jashtë”, thekson Dulger.
“E çfarë u ofrojmë ne atyre? Një nga gjuhët më të komplikuara të Europës, një treg banimi katastrofal, një burokraci të ngadalshme dhe tani edhe më pak vende në kopshte me orare jo aq fleksibël të hapjes. Ne kemi nevojë për një kulturë mirëseardheje si në vendet e tjera të mëdha të imigrimit.”
Paga minimale më e lartë? Politika të ulë tatimet
Dulger mohoi akuzën, se punëdhënësit kishin penguar rritjen e duhur të pagës minimale. “Ka një komision të pagës minimale. Ky komision, në të cilin janë përfaqësues të punëmarrësve dhe punëdhënësve e ka vendosur me shumicë rritjen dhe qeveria e zbatoi atë”, u shpreh presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë, BDA. Ai nuk pranoi kërkesat që të ketë një rritje tjetër të pagës minimale në raundin tjetër. Sipas Dulger, nëse politika do që ata që kanë rroga të ulta, të kenë më shumë në konto, atëherë mund të ulë tatimet dhe kontributet.
Sipas tij, politika e koalicionit duhet të t’u thotë lamtumirë edhe objektivave të saj të politikës për klimën. “Nëse qeveria e koalicionit i mbetet të gjitha atyre planeve që ka në politikën e klimës, atëherë Gjermania nuk reziston dot më në shkallë ndërkombëtare. Sipërmarrjet do të hiqnin dorë, sepse prej tyre kërkohen investime që ato nuk i bëjnë dot. Mbrojtja e klimës nuk mund të shkatërrojë ekonominë. Dulger kërkoi nga qeveria të heqë shumë burokracira që të rigjallërohet ekonomia./DW