Letër kreut të SPAK nga SHBA!

Geri Kokalari, aktivist i njohur shqiptaro-amerikan dhe drejtues i organizatës “Shqiptarët për një Shqipëri demokratike” me qendër në Nju Jork, SHBA, i ka dërguar një letër-denoncim kreut të SPAK, Altin Dumani.

Letra i është nisur për dijeni edhe Paul Abbate, Gabriel Escobar, Yuri Kim, David Kostelancik, Victoria Nuland, James O’Brien dhe Edi Ramës.
Më poshtë, letra e plotë:

Zoti Dumani,

Përgëzoj angazhimin tuaj për të hetuar privatizimin e kompleksit sportiv Partizani. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt adresimit të shpërdorimit të mundshëm (të detyrës) për sa i përket kësaj çështje. Dua të sjell në vëmendjen tuaj çështje të tjera të cilat, në rast se hetohen, mund të shpalosin parregullsi të mëtejshme ku përfshihen Sali Berisha dhe familja e tij.

1. Ndoshta më famëkeqet nga krimet që implikojnë Sali Berishën janë skemat piramidale që lulëzuan në mesin e viteve ’90 dhe u shkërrmoqën në 1997-ën, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrim. Qindra mijëra shqiptarë pësuan dëme financiare nga skemat në fjalë dhe përparimi i Shqipërisë si demokraci pësoi regres prej disa dekadash. Në dijeninë time, Berishës nuk i është kërkuar kurrë që të tregojë arsyen se pse, pasi u paralajmërua vazhdimisht nga ekspertët financiarë, ai lejoi që skemat piramidale – të Ponzit – të vijonin të operonin të patrazuara. As arsyeja përse ai mbështeti publikisht Vehbi Alimucajn dhe u tha shqiptarëve se paratë e tyre ishin të sigurta në skemën e tij piramidale, VEFA.

Mund të jetë fjala për budallallëk të pastër dhe, bazuar në aq sa kam pasur të bëj me Berishën, më është krijuar përshtypja se edukimi i tij nën doktrinën staliniste të Enver Hoxhës i ka dhënë pikëpamje shumë të shtrembëruara e disi naïve. Por injoranca nuk është justifikim, prandaj duhet të përcaktohet nëse Berisha ka përfituar nga piramidat e nëse po deri ç’masë. Dihet se pasi u detyrua të largohet nga presidenca, Berisha u vendos në një apartament të ri luksoz në një nga lagjet më të mira të Tiranës. Asokohe, ai e shpjegoi shtëpinë e re me pretendimin se vajza e tij (gruaja e Jamarbër Malltezit) pagoi për pronën me rrogat e saj nga puna në Kosovë, por kjo është diçka që mund të verifikohet lehtësisht. Qeveria amerikane di më shumë për përfshirjen e Berishës në skemat piramidale dhe do t’ju adresoja me kënaqësi drejt burimeve të këtij informacioni, në rast se doni ta hetoni këtë. Për shembull, në kulmin e krizës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u nxor nga Shqipëria dhe u soll në Uashington për të dhënë shpjegime.

2. Privatizimi i ARMO-s, pronë shtetërore, ishte një vjedhje e madhe e popullit shqiptar. Në qendër të këtij krimi ishte Rezart Taçi, një bashkëpunëtor i ngushtë i Sali Berishës dhe një i arratisur i drejtësisë. Sa për rikujtesë, tenderi i privatizimit të ARMO-s u ndërmjetësua nga “Patton Boggs”, një firmë ligjore dhe lobuese e vendosur në Uashington, e cila u kontraktua nga qeveria Berisha. Siç dihet, fituesi i tenderit për ARMO-n ishte Refinery Associates of Texas (RAT). Një kërkim i thjeshtë në internet asokohe do të kishte mjaftuar të tregonte se RAT ishte një kompani me hije dyshimi që vepronte si broker i produkteve të naftës, dhe se ajo nuk kishte as përvojën dhe as aftësinë për të blerë dhe për të operuar një kompani të huaj nafte. Gjatë kohës së privatizimit, përmes një emaili e kam sjellë këtë fakt në vëmendjen e Frank Wisner, ish-ambasador amerikan dhe personi i kontaktit të “Patton Boggs” në Shqipëri.

Në dijeninë time, paralajmërimet e mia nuk janë marrë parasysh. Përkundrazi, në momentin e fundit, Rezart Taçi doli të ishte fituesi i vërtetë i tenderit dhe Berisha shfaqi verbëri të vullnetshme ndaj skemave mashtruese më se flagrante që Taçi përdori për të fituar. Një prej pikave më të rëndësishme për blerjen e ARMO-s ishte se Taçi dha garancinë se do të investonte 250 milionë dollarë për të modernizuar mënyrën se si ajo operonte. Siç tashmë dihet, Taçi nuk i kishte 250 milionë dollarë dhe RAT nuk u vendos në Shqipëri për të investuar tek ARMO dhe për ta menaxhuar atë. Pra, krimet e kryera ishin në shumë nivele. Së pari, e kam të pamundur të besoj se Taçi e fitoi tenderin e ARMO-s pa i dhënë një quid pro quo – diçka në shkëmbim – Berishës. E nëse vërtetohet, kjo do të përbënte një akt të rëndësishëm korrupsioni në nivelin më të lartë të qeverisjes.
Gjithsesi, janë kryer edhe të tjera krime gjatë procesit të tenderit, duke përfshirë përdorimin e një kompanie fantazëm për të maskuar faktin se Taçi ishte përfituesi i vërtetë dhe mashtrimi se Taçi do të investonte 250 milionë dollarë që do të përdoreshin për shpenzime kapitale. Qeveria Berisha, duke përdorur “Patton Boggs” si këshilltarin e vet, duhet ta kishte pasur këmbënguljen e nevojshme për ta ekspozuar këtë mashtrim lehtësisht. Për shkak se Taçi nuk e përmbushi angazhimin e tij financiar, gjendja e ARMO-s u përkeqësua dhe, së shpejti, thuajse falimentoi krejtësisht. Pra, besoj se është fjala për kalimin me mashtrim të një pasurie shtetërore tek një bashkëpunëtor i ngushtë i Sali Berishës, si dihej nga të gjithë, çfarë u pasua nga dëmtimi i mëvonshëm i vetë pasurisë. Besoj se Berisha mban përgjegjësi për këtë mashtrim dhe meriton të merret në pyetje me këmbëngulje për të përcaktuar se si mund ta ketë lehtësuar fitoren e Taçit në tender. Ka mjaft persona që duhet të thirren për të dëshmuar në lidhje me këtë çështje, duke përfshirë Frank Wisner, dhe Jude Kearny, i cili ishte avokat i “Patton Boggs” në atë kohë dhe ndihmoi në procesin e tenderit që ia dha ARMO-n Taçit.

Në vitin 2014, Patton Boggs u dërgua drejt falimentimit me një gjobë prej 15 milion dollarësh që u detyrua ta paguante për shkak të padisë së ngritur kundër firmës nga Chevron, kompania gjigande shumëkombëshe e naftës. Chevron pretendonte se Patton Boggs mori pjesë në një fushatë zhvatëse kundër Chevron në Ekuador. Patton Boggs u zemërua nga akuza ku u nënkuptua se kishte komprometuar reputacionin e vet, duke u angazhuar në sjellje joetike në një marrëveshje me një numër shtetasish të Ekuadorit.

Megjithatë, Randy Mastro, avokati që përfaqësoi Chevron, argumentoi para gjykatësit se Patton Boggs qe i gatshëm të rrezikonte reputacionin e vet, sepse firma priste të merrte një tarifë të majme si kompensim për marrëveshjen e lidhur me 18 miliardë dollarë në Ekuador. Patton Boggs e humbi gjyqin. Për më tepër, prej gjobës së madhe, firma, më pas, u detyrua të shkrihej me një tjetër firmë ligjore, që t’i mbijetonte goditjes financiare. A mori Patton Boggs një tarifë kompensuese të paparashikuar për punën e saj në marrëveshjen ARMO? Nëse po, kjo mund të shpjegojë pse informacioni i rëndësishëm për Taçin dhe RAT nuk u mor parasysh. Për koincidencë, unë kam qenë palë paditëse në një çështje të përfaqësuar në New York nga Randy Mastro, një nga avokatët më të mirë të korporatave në SHBA dhe do ju rekomandoja me këmbëngulje shërbimet e firmës së tij ligjore, si mënyrë për t’ju ndihmuar ta zbuloni krejtësisht këtë histori.

3. Albpetrol ka qenë një tjetër pasuri e madhe shtetërore që Berisha tentoi ta privatizonte. Pavarësisht mashtrimeve të ndryshme të kryera me privatizimin e ARMO-s, ishin haptazi të ditura për Berishën, kur privatizimi i Albpetrolit u bë publik, sërish nga një kompani fantazëm, këtë herë më emrin “Rruga e Mëndafshit Vetro”, u shpall fituese e tenderit. Ashtu si në rastin e ARMO-s, bëra një kërkim të thjeshtë në internet për të arritur në përfundimin tim se “Rrugës së Mëndafshit Vetro” i mungonte përvoja dhe burimet financiare për të konsumuar blerjen e Albpetrol. E ndava informacionin që gjeta me Frank Wisner, por, dukshëm, paralajmërimet e mia u shpërfillën sërish. Dhe ashtu si në rastin e ARMO-s, në momentin e fundit, doli se përfituesi i vërtetë që fshihej pas “Rruga e Mëndafshit Vetro” ishte Rezart Taçi, dhe se kompania thjesht shërbeu për të mbajtur emrin e Taçit jashtë procesit të tenderit deri në çastin e fundit.

Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, në rrethana normale, Taçi do të ishte skualifikuar nga tenderi i Albpetrol-it për shkak të orvatjeve mashtruese që përdori për të fituar tenderin e ARMO-s. Por jo në Shqipëri. Megjithatë, një prej kritereve kyçe në tendering e Albpetrol-it parashtronte që fituesi të jepte një garanci prej 100 milionë dollarësh nga një bankë amerikane. Për fat të mirë, marrëveshja u ndërpre në minutën e fundit, pikërisht atëherë kur bëra publik faktin se garancia prej 100 milionë dollarësh që Taçi kinse kishte siguruar nga American Chartered Bank, ishte një mashtrim i plotë. Kjo ishte pranuar në një e-mail që mora nga John Purtill, përfaqësuesi ligjor i American Chartered Bank, dhe nga komunikimet e mia me FDIC, agjencia rregullatore që mbikëqyr dhe siguron bankat amerikane.

Me sa kuptoj, garancia e rreme mund të jetë shkruar në ndonjë tavolinë shkrimi të Amerikan Chartered Bank, por ju duhet të jeni në gjendje të zbuloni faktet nëpërmjet hetimeve financiare. Dokumentet që lidhen me garancinë bankare duhet të ishin përfshirë në dosjen e tenderit Albpetrol, dhe ju duhet të viheni menjëherë në lëvizje që të ngrini të gjitha dosjet e qeverisë shqiptare lidhur me këtë transaksion. Nëse korrespondenca që ka të bëjë me garancinë bankare nuk gjendet në dosje, pengimi i drejtësisë do të shtohej në grumbullin e krimeve për të cilat mund të akuzoni Berishën. Jam në dijeni se FDIC e ka hetuar këtë çështje sepse Michael Delgado, një hetues i FDIC-së nga Chicago (ku gjenden zyrat qendrore të American Chartered Bank), ka ardhur në New York për të më intervistuar. Pra, FDIC ka krijuar një dosje dhe nëpërmjet kanaleve të Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë, ju duhet të jeni në gjendje të merrni dokumentet përkatëse që ndodhen në të.

Por ka një problem: një fije lidhëse e marrëveshjeve ARMO dhe Albpetrol ishte “Patton Boggs”, dhe Frank Wisner ishte njeriu i tyre në Shqipëri, dhe marrëdhëniet e tij me Berishën dhe Taçin kanë qënë më se publike. Si pjesë e hetimit në lidhje me këtë çështje, duhet të shqyrtohet edhe kompensimi i “Patton Boggs”, duke përfshirë edhe ndonjë marrëveshje për tarifës së emergjencës. Si rastësi, David Wisner, i ngarkuari me punë i ambasadës amerikane, është djali i Frank Wisner. Nuk dua të them se ai kishte ndonjë përfshirje apo njohuri për privatizimet e ARMO apo Albpetrol, por nëse duhet të kërkoni ndihmë nga qeveria amerikane lidhur me këto çështje, David Wisner duhet të tërhiqet nga kjo çështje. Taçi, tashmë i arratisur i drejtësisë, duhet të ekstradohet dhe të gjykohet për mashtrimin që ka kryer së bashku me privatizimet e ARMO dhe Albpetrol dhe të dëshmojë për përfshirjen e Berishës në këto marrëveshje.

4. Marrëveshja e armëve AEY/”War Dogs” (Qentë e Luftës): Në këtë marrëveshje kam bashkëpunuar me Kosta Trebickën për të ekspozuar skandalin e AEY në faqen e parë të The New York Times. Gjithashtu, kam marrë masa që Kosta të dëshmonte në Kongres dhe Departamentin e Drejtësisë dhe si i tillë, ai shërbeu si dëshmitar i qeverisë amerikane. Kur historia doli në The Times dhe kështu skandali u bë publik më kujtohet shumë mirë se si Saliu lehte si qen i tërbuar duke thënë se gazeta ishte “letër higjienike”. Siç duhet ta mbani mend, marrëveshja përfshinte AEY, një kompani e vendosur në Miami dhe që drejtohej nga Efraim Diveroli, i cili, në një bisedë telefonike të regjistruar nga Kosta Trebicka (e cila mund të gjendet lehtësisht në YouTube), u ankua për korrupsionin e qeverisë Berisha. Gjatë telefonatës Diveroli thotë: “Shkon deri tek kryeministri dhe i biri. Nuk mund të luftoj me këtë mafia. Është shumë e madhe. Kafshët kanë dalë krejt jashtë kontrollit.”

Gjithashtu, e dimë se Aleks Podrizki, i cili punonte për AEY dhe ishte përgjegjës për menaxhimin e projektit të saj të ripaketimit në Shqipëri, pretendoi se ai dhe Diveroli u sollën në një takim në Tiranë me Mihal Delijorgjin për të diskutuar çmimin e municionit dhe përcjelljen e kontratës së ripaketimit nga Trebicka tek Delijorgji. Podrizki pohoi se në atë takim ka qenë i pranishëm Shkëlzen Berisha. Më pas, Shkëlzeni ka paditur botuesin dhe autorin e “War Dogs” (Qentë e Luftës) për shpifje, por ai e humbi çështjen. Kjo ngre disa pikëpyetje të rëndësishme, si, nëse Shkëlzeni ishte i pranishëm në atë takim, ç’punë kishte atje?
Për më tepër, padia e Shkëlzenit, të cilën e humbi edhe në apel mund të kenë tarifa ligjore prej qindra mijëra dollarësh. Ku i mori Shkëlzeni paratë për të paguar avokatët e tij? Në kohën kur marrëveshja AEY u zbatua në Shqipëri, Berisha ishte Kryeministër dhe Fatmir Mediu ishte Ministër i Mbrojtjes, ndërsa Pinari ishte kreu i “Meico”. A besoni vërtet se një kontratë prej 300 milionë dollarësh e qeverisë shqiptare për të furnizuar Departamentin Amerikan të Mbrojtjes me armatim mund të kishte vijuar pa miratimin direkt të Sali Berishës?

Ne tashmë e dimë se AEY ka mashtruar Departamentin Amerikan të Mbrojtjes sepse Diveroli dhe disa shtetas të tjerë amerikanë u shpallën fajtorë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe u dënuan me burgim. Por ne gjithashtu e dimë se marrëveshja e AEY nuk mund të ishte zbatuar pa bashkëpunimin e plotë të zyrtarëve shumë të lartë të qeverisë shqiptare si Sali Berisha dhe Fatmir Mediu. Po ashtu, e dimë se pagesat (paratë) e AEY për “Meico” u pastruan nëpërmjet “Evdin”, një kompani me bazë në Qipro e kontrolluar nga Henri Thomet, një tregtar famëkeq armësh që ka qenë pjesë e listave të zeza të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. E di këtë sepse kontratat dhe të dhënat bankare m’u dhanë nga Kosta, dhe unë ia vura në dispozicion qeverisë amerikane dhe New York Times. Ju mund të përdorni fuqinë e zyrës suaj (SPAK) për të përcaktuar nëse ndonjë nga këto fonde iu kthye zyrtarëve të qeverisë shqiptare nga Thomet.

Të jemi të qartë, edhe pse ka fije lidhëse mes Gërdecit dhe AEY-së, si Mihal Delijorgji dhe Fatmir Mediu, ato janë krime të ndara dhe të ndryshme. Njëri përfshiu shpërthimin e Gërdecit çfarë, për shkak të neglizhencës së qeverisë Berisha, rezultoi me vdekjen tragjike të 26 personave. Druaj se ka dëshmitarë të rëndësishëm që, në dijeninë time, nuk janë thirrur për të dëshmuar për Gërdecin. Këtu përfshihen disa ish-punonjës të Gërdecit dhe Patrick Henry dhe Rodney Taylor, të cilët drejtonin “Southern Ammunition”, kompania që furnizonte me pajisje strukturën e Gërdecit. Dhe të mos harrojmë gjeneralin Luan Hoxha, i cili iu shmang marrjes në pyetje, sepse u lejua të ikte nga Shqipëria, në mënyrën më të volitshme, për të kërkuar azil në SHBA. Krimi tjetër, krejt i ndryshëm, është marrëveshja e paligjshme e armëve AEY me “Meico” dhe Departamentin Amerikan të Mbrojtjes. Nuk ka pasur kurrë një hetim të zyrtarëve të qeverisë shqiptare që ndihmuan dhe nxitën AEY dhe të cilët në Shqipëri mund të kenë përfituar nga ky mashtrim që u krye kundër qeverisë amerikane.

Është edhe çështja e ndërlidhur e vdekjes së Kosta Trebickës. Në vitin 2007, Kosta më kontaktoi dhe ishte tejet i inatosur sepse kontrata për ripaketimin e municioneve të AEY-së iu hoq atij dhe iu dha Delijorgjit. Ai besonte se kjo ishte bërë pasi Delijorgji kishte një marrëdhënie biznesi me Shkelzen Berishën. Kosta nuk kishte droje të shprehte dëshirën e tij për drejtësi dhe ai ishte publikisht i zëshëm në lidhje me ato që ai i perceptonte si parregullsi rreth marrëveshjes së AEY. Pra, në proces, ai i shkeli në kallo njerëzve të fuqishëm që mund të kenë qenë në pozitë të përfitonin nga kjo marrëveshje. Më pas, Kosta vdiq në rrethana të dyshimta në një rrugë të largët në jug të Shqipërisë. Sigurisht që kishte të dyshuar që kishin motive për t’i bërë keq Kostën.
Por ata që iu dha detyra të hetonin vdekjen e Kostës dihet se ishin të afërt me Sali Berishën, kështu që u arrit shpejt dhe në mënyrën të volitshme (për disa) në përfundimin se ishte vdekje “aksidentale”. Ndoshta edhe ishte, por shumë shqiptarë ende besojnë se bëhet fjalë për mbulim (krimi). Populli i Shqipërisë dhe familja Trebicka meritojnë që çështja të arrijë në përfundime të sakta. Mbetjet e Kostës duhet të zhvarrosen dhe të ekzaminohhen nga një patolog mjeko-ligjor i paanshëm dhe i kualifikuar me përvojë të gjerë në hetimet për vrasje.

Ju kërkoj t’i shqyrtoni me kujdesin e nevojshëm këto çështje, duke u siguruar që çdo çështje të hetohet mirëfilltazi dhe do të isha i gatshëm të jepja informacione që mund të lehtësojnë ndjekjen e çështjeve të ndërlidhura nga ana juaj. Gjetjet mund të hedhin dritë mbi keqbërjen e Berishës dhe do të kontribuonin në shtimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë në Shqipëri.

Sinqerisht,
Gary Q. Kokalari/Dita

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *