Presidenti i Republikë së Shqipërisë Bajram Begaj mori pjesë sot në ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit në Vlorë, si dhe nderoi kujtimin e Ismail Qemalit duke vendosur një kurorë lulesh mbi varrin monumental të tij. Kreu i Shtetit përcolli urime për Ditën e Pavarësisë në profilin e tij zyrtar në Facebook, duke thënë se kjo ditë është simboli më përbashkues i Kombit. Begaj u shpreh se modeli frymëzues i etërve themelues të shërbejë si ‘udhërrëfyes në çdo punë që bëjmë për vendin dhe për shqiptarët’.
“Nga Vlora, uroj të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe kudo në botë: Gëzuar Festën e Pavarësisë!
Dita e Flamurit, si simboli më përfaqësues e më përbashkues i kombit, është festa më e bukur e shqiptarisë. Sot jemi shtet i pavarur në sajë të mençurisë, guximit dhe vendosmërisë së patriotëve shqiptarë 111 vjet më parë në emër të dashurisë për atdheun dhe kombin, në emër të dashurisë për këtë flamur, në emër të lirisë. Liria sjell përgjegjësi. Le te na shërbejë modeli frymëzues i etërve themelues, të cilët dhanë gjithçka për Shqipërinë e lirë e të pavarur, si udhërrëfyes në çdo punë që bëjmë për vendin dhe për shqiptarët. Të udhëhiqemi nga qëllime të larta, më i larti prej të cilëve është mbrojtja e vlerave të paqes, demokracisë dhe prosperitetit të Shqiperisë. Gëzuar!”