Shqiptari me pasaportë amerikane, Marin Jano, mbeti aksidentalisht i plagosur pak ditë më parë në Sarandë, në ngjarjen ku u qëllua me breshëri automatiku në drejtim të biznesmenit Spiro Iljadhi.
Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama.al”, i riu ka treguar tmerrin e përjetuar në qytetin bregdetar, ku kishte vendosur të kalonte dy ditë pushimi me të dashurën, por e gjeti veten në një skenë që e kishte parë vetëm në filma aksion.
Marin Jano rrëfen pritjen e pafund të Urgjencës, ndërkohë që kishte marrë një plumb në fundshpinë dhe i rridhte gjak nga plaga, si dhe përballjen me mungesën e empatisë të mjekut dhe infermieres.
I riu thotë se: “mjeku me sa duket, u bezdis shumë nga pyetjet e mia, saqë në një moment m’u kthye: “Do rrish urtë apo ta lë fare? Ik në vend tjetër po deshe dhe bej analizat e operacionin”. U shtanga, pasi nuk e prisja një përgjigje të tillë. Kujtoj që i thashë: “Doktor, mundohu të tregohesh pak empatik dhe të më kuptosh!”.
RRËFIMI I PLOTË I TË PLAGOSURIT MARIN JANO
“A TA BOJ DHE UNE I PYTJE?- A KE MO PYTJE?”
Kam pasur gjithmonë një respekt e vlerësim të madh për punën e mjekëve e të infermierëve, të cilët kanë në dorë shëndetin dhe jetën tone. Unë vetë kam në familje një prej njerëzve me te dashur, gjyshen, e cila ka qene mjeke dhe ka nxjerrë përgjatë më shumë se 30 vjetëve me mijëra mjekë si pedagoge ne Fakultetin e Mjekësisë (pa harruar dhe një njeri tjetër të afërt timin, që është aktualisht mjek). Ne momentet kur humanizmi i tyre, ndershmëria, profesionalizmi, serioziteti është vënë ne diskutim, i kam mbrojtur me vendosmëri duke pasur parasysh, me sa duket, modelet e gjalla te mjekeve qe kam ne familjen time. Por, pas asaj që më ndodhi fundjavën e kaluar, ku mu desh te përballesha drejtpërdrejt me shërbimin tonë mjekësor, gjithçka m’u përmbys.
Kisha vendosur ta lija vapën mbytëse të Tiranës për të kaluar nja dy dit në bregdetin e bukur të Sarandës. Duke u gdhirë 20 qershori, teksa po dilja bashkë me të dashurën nga një lokal i njohur në qendër të qytetit, u ndodhëm sa hap e mbyll sytë në mes të një shkëmbimi zjarri me pistoleta e kallashnikovë. Një skenë që vetëm nëpër filma aksion e kisha parë. U shtrimë menjëherë në tokë dhe, duke tentuar të futeshim poshtë një makine për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave, u plagosa në pjesën e fundshpinës. Ashtu i plagosur e duke u zvarritur u riktheva në lokal për t’i ikur më të keqes e për të kërkuar ndihmë.
Meqenëse askush nga klientët e lokalit, por dhe ata të shërbimit nuk mu afruan, kujtoj t’i kem telefonuar vetë 2-3 herë urgjencës (112) dhe policisë (129). Urgjenca fillimisht nuk mu përgjigj në telefon, kurse policia po. Ndërkohe që gjaku rridhte e nuk dinte të mbaronte, duke shtypur plagën fort me dorë për të ndaluar hemorragjinë e teksa mundohesha të ruaja qetësinë, vazhdoja t’i bija numrit të urgjencës. Dikur u përgjigjën e, ndërsa operatori me thoshte se ambulanca po vjen menjëherë, ajo nuk dukej e as dëgjohej kurrkund.
Kaluan kështu mes ankthit e frikës gati 20 minuta, por ambulanca, sa isha aty, nuk erdhi kurrë. Siç më thane më pas, distanca mes vendit ku unë gjendesha, dhe spitalit s’ishte as 5 minuta larg me makinë. Dola atëherë përsëri jashtë lokalit, ku u gjendën dy djem trima, njeri prej të cilëve taksist, që më mori e me dërgoi me urgjencë në spital.
Në gjendje shoku e me forcat që po më linin, kujtoj, megjithatë, që me shtruan ne dhomën e urgjencës, ku nisën të më bënin serume, injeksione dhe më pas një skaner. Pas gati një ore me konfirmuan se isha plagosur me arme zjarri dhe duhet te nisesha me urgjence ne Tirane për te kryer një ndërhyrje kirurgjikale për të hequr plumbin, që më ishte futur rreth 10 cm ne trup. Me të mbërritur në spitalin e Tiranës, përsëri skaner e më pas 3 orë në pritje të operacionit.
Ndërkohë qe prisja, fillova te pyesja mjekun për gjithçka më shqetësonte lidhur me shëndetin, me jetën time, me operacionin. Pas gjithë asaj që kishte ndodhur, isha i traumatizuar. Mjeku, me sa duket, u bezdis shume nga pyetjet e mia, saqë në një moment m’u kthye: “ Do rrish urtë apo ta lë fare? Ik në vend tjetër po deshe dhe bej analizat e operacionin”.
U shtanga, pasi nuk e prisja një përgjigje te tille. Kujtoj që i thashë: “ Doktor, mundohu të tregohesh pak empatik dhe të me kuptosh! Vere veten ne pozitën time për një moment!“. Fjalët e mija ranë në vesh të shurdhër. Me mire te mos flisja fare dhe te gjithë frikën, presionin, ankthin ta mbaja përbrenda. Atë bëra, në fakt, e qepa gojën, s’fola me dhe prita deri sa më futën në sallë pas tre orësh. Operacioni shkoi mire dhe plumbi u hoq.
Aty nga pasditja me çuan ne një dhomë në repartin e kirurgjisë, në katin e fundit, nën një terracë përvëluese, mes dritaresh e dyersh të hapura kanat, ku nuk gjeje një kondicioner për be. Në atë nxehtësi sahariane ndejta 2 net e 3 dite. Gjate kësaj kohe mjeku kaloi nga dhoma ku isha shtruar, vetëm një here për pak sekonda dhe në këmbë. Një here tjetër komunikuam ne dhomën, ku ai rrinte, ku kisha shkuar t’i kërkoja disa dokumenta, me idenë për t’u transferuar ne një spital privat. “Unë t’i jap letrat, por herë tjetër ik direkt ne spital privat e mos hajde te operohesh këtu”, më tha gjithë nervozizëm.
Ngela pa gojë. Te gjithë e dimë se, kur aksidentohesh, kur plagosesh me arme zjarri, me thike, nuk ka asnjë spital privat që te merr përsipër, pasi te tilla ndërhyrje kryhen vetëm ne spitalet shtetërore të specializuara. Gjithsesi, mjeku që këtë gjë e dinte, nuk hezitoi te ma thoshte.
Sa për infermieret, fytyrat e tyre te ngrysura e indiferente binin në sy që larg. Punën e bënin, por e bënin sikur u kishe ndonjë borxh. Të dukej sikur i kishin sjellë me zor në atë punë. Kurrfarë përkujdesi të natyrshëm, devocioni, empatie, mirësjelljeje. Kulmi arriti natën e pare pas operacionit, kur njërës prej tyre i kërkova të përdorja vetëm për një here tualetin e stafit, pasi ai në dispozicionin tone si pacientë kishte probleme. Por përgjigjja qe mora, ishte: “ Pse mër çun m**** tat do pastroj unë?! Shko përdor banjon tate” .
Ngela pa fjale dhe ika kokulur, pa thënë gjysmë fjale. Në atë mori infermierësh dallonin, për fat, edhe nja dy, një grua dhe një burrë, rreth të pesëdhjetave, qe ishin si nata me ditën me të tjerët. Profesionalizmi i tyre, kujdesi, përkushtimi, ishin te pashoq. Pyetjeve e shqetësimeve qe kisha, u përgjigjeshin pa hezitim e pa kurrfarë shenje bezdisjeje e përtese. Njerëz të tillë të mbajnë shpresën e besimin gjallë se njerëzillëku e profesionalizmi nuk janë varrosur përfundimisht në këtë vend.
Pas 3 ditësh, që m’u dukën si 3 vjet, qëndrimit tim ne spital i erdhi fundi. Shkova te takoja mjekun e të merrja anamnezën bashkë me këshillat dhe mjekimin, që do të vazhdoja në shtëpi. Meqenëse ai thjesht më zgjati letrën ku kish shkruar gjithçka lidhej me mua, tentova të komunikoja duke i bërë disa pyetje. Përsëri e shfaqi hapur bezdinë, edhe pse me kthehu përgjigje, natyrisht ne mënyrën e tij.
“Faleminderit, doktor”, i thashë dhe bëra të largohesha, kur zëri i tij me ndali: “Me fal, a ta boj dhe unë i pyetje?”. “Po, patjetër, doktor”,- iu përgjigja habitur. “A ke mo pytje”,- ma ktheu me një nënqeshje ironike. “Jo, nuk kam me pyetje, doktor”,- ia ktheva dhe u largova.
Të njohur e miq te familjes më thonë: “Hë, se filani e ka gojën e hidhur, po si mjek është shumë i zoti”. Mendoj se te jesh mjek, mbi te gjitha duhet te jesh i sjellshëm, i komunikueshëm, njerëzor, empatik. Përndryshe e bën pacientin të ndihet si viçi i radhës te kasapi, ashtu siç u ndjeva dhe unë.
/*Shkrim ekskluziv për “Panorama.al”/