Turqia i ka thënë Suedisë se pret që të ratifikojë brenda javësh pranimin e Stokholmit në aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s, tha ministri i Jashtëm suedez. Suedia dhe Finlanda vitin e kaluar kërkuan t’i bashkohen NATO-s pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Por, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, shteti i të cilit është anëtar i NATO-s, ngriti shqetësime, duke argumentuar se këto dy shtete mbrojnë grupe që Ankaraja i konsideron terroriste. Në prill, Turqia mbështeti anëtarësimin e Finlandës në NATO, por jo edhe të Suedisë.
“Kam pasur një takim dypalësh me kolegun tim, ministrin e Jashtëm [të Turqisë]… dhe ai më tha se pret që ratifikimi të ndodhë brenda javësh”, tha për gazetarët ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, para nisjes së ditës së dytë të takimeve me ministrat e Jashtëm të aleancës.
Në përgjigje, Stokholmi miratoi një ligj kundër terrorizmit, që bën të paligjshëm anëtarësimin në organizata terroriste. Po ashtu, Suedia ka hequr kufizimet në eksportin e armëve me Turqinë. Stokholmi ka argumentuar se ka plotësuar kërkesat e paraqitura në një marrëveshje që palët arritën vitin e kaluar.
Përveç Turqisë, edhe Hungaria ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO. Ministri i Jashtëm suedez tha se autoritetet hungareze ia kanë konfirmuar se shteti i tyre nuk do të jetë shteti i fundit që do të ratifikojë pranimin e Suedisë në aleancë./rel