Vrasja e shqiptarit në Greqi: Urdhri erdhi nga burgu, viktima person i rëndësishëm i trafikut të drogës

Vrasja e 56-vjeçarit shqiptar nga Berati, Thimi Prifti në Athinë, dyshohet se është urdhëruar nga burgu. Mediat greke shkruajnë se viktima ishte një person i rëndësishëm i trafikut të drogës në Greqi dhe se kishte krijuar rivalitete gjatë kohës që kishte qenë i burgosur për trafik të lëndëve narkotike.

Hera e fundit që 56-vjeçari u arrestua, ishte në vitin 2023 dhe u lirua me kusht. Ai u ekzekutua mbrëmë rreth orës 21:00 poshtë shtëpisë së tij Palaio Faliro të Athinës. Prifti u dërgua në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra nga 3 plumba. Për ngjarjen ka folur edhe një prej fqinjëve të 56-vjeçarit, duke shpjeguar sesi ndodhi ekzekutimi i shqiptarit para shtëpisë së tij. Fqinji tregon se një person me motor ndaloi para Thimi Priftit, hoqi kaskën e motorit dhe e qëlloi me pistoletë.

“Ishte një këmbësor që e qëlloi. Burri erdhi, parkoi motorin, hoqi kaskën dhe autori e qëlloi. Një plumb ka rënë edhe në katin e parë. Në atë kohë një qiramarrës po dilte nga pallati me qenin e tij. Njeriu i goditur nga plumbat e pa në derë fqinjin me qenin që i hapi derën dhe më pas e futi në shkallë. Ai ra atje poshtë.

Në momentin që ndodhi ngjarja, unë kisha mbaruar dhe isha duke bërë disa punët e fundit dhe një fqinj erdhi me vrap dhe më tha ‘mirë, nuk ke dëgjuar gjë?’ Ata qëlluan një burrë, tani ja ku është’. Dola dhe pashë një burrë të shtrirë. E kishin vënë në hyrje të pallatit”, u shpreh fqinji. Mediet greke raportojnë se ai rezulton i dënuar më parë si anëtar i një organizate kriminale, për trafikim lëndësh narkotike. Po kështu mediat greke shkruajnë se ai ishte përfshirë në trafik të paligjshëm cigaresh dhe falsifikim dokumentesh. Viktima u qëllua në gjoks dhe u dërgua i gjallë në spital, por vdiq pak më vonë. Sipas raportimeve, kanë qenë dy autorë që kanë marrë pjesë në vrasjen e shqiptarit.

Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e autorit i cili ishte i maskuar dhe u largua me një motoçikletë, ndërsa në vendngjarje u gjetën 2 gëzhoja 9 mm.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *