Është vënë në pranga nga autoritetet spanjolle Ismail Zeneli, një nga të shpallurit në kërkim nga SPAK, të grupit ku i arrestua dhe Erzen Brecani.
Kujtojmë se Ismail Zeneli është personi që donte të vriste vëllezërit Nela për hakmarrje pasi besonte se në vitin 2013 i kishin vrarë vëllain me emrin e ndryshuar, Xhem Krasniqi, krim që kishte ndodhur në Britaninë e Madhe. Mësohet se Zeneli është kapur dy ditë më parë nga autoritet spanjolle dhe për të është kërkuar ekstradimi. Ismail Zeneli akuzohet për veprat penale: “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe materiale për te kryer vrasje”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”. Ismail Zeneli, i shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike si pjesë e grupit Breçani, kishte rolin e porositësit dhe financuesit për lëndët narkotike që porosisnin nga Amerika Latine. Por, si pjesë e këtij grupi kriminal, Zeneli kishte pasur dhe përkrahjen për të marrë hakun për vrasjen e vëllait, ngjarje e ndodhur në vitin 2013.
Në dosjen e siguruar ekskluzivisht nga GJ sqarohet se më datë 18.05.2013, në rrugën “Church Road” në qytetin e Kentit në Angli, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Xhem Krasniqi me kombësi shiptare. Shtetasi Xhem Krasniqi ka mbetur i plagosur në pjesën e barkut dhe disa ditë më pas ka humbur jetën për shkak të plagëve të marra.
Në momentin që është qëlluar me armë zjarri, shtetasi Xhem Krasniqi ka qenë i shoqëruar nga nipi i tij, shtetasi Kelmend Murataj dhe vëlla i tij, shetasi Ismail Zeneli. Autor i dyshuar për këtë ngjarje ka qenë shtetasi shiptar Edmond Nela, i cili pas një gjykimi në Mbretërinë e Bashkuar, është shpallur i pafajshëm si dhe në momentet e para është kërkuar nga policia e Sussex edhe vëllai i tij, Albert Nela.
Xhem Krasniqi, dyshohet se është identiteti i rremë i përdorur nga personi për tu pajisur me dokumente qëndrimi të Mbretërisë së Bashkuar dhe në të vërtetë dyshohet të jetë shtetasi Guximtar Ismail Sadria. Edhe Ismail Zeneli e kishte ndërruar emrin. Ismail Rexhep Zeneli, dyshohet se është identiteti i rremë i përdorur nga personi dhe në të vërtetë dyshohet të jetë Luan Ismail Sadria, lindur në Kukës. Guximtar Sadria dhe Luan Sadria, në certifikatën familjare rezultojnë të jenë bashkë me përshkrimet përkatëse në lidhje me kryefamiljarin. Po ashtu, edhe në Regjistrin e Gjendjes Civile të vitit 2008 këta shtetas figurojnë në një familje të vetme. Shtetasit Guximtar dhe Luan Sadria kanë dhe dy vellezër të tjerë, Bashkim Ismail Sadria lindur më 01.05.1969 dhe Kujtim Ismail Sadria lindur mё 14.10.1965.
Luan Sadria, i biri i Ismail dhe i Beglie, dyshohet se për të ndërruar identitetin në gjendje civile, fiktivisht është birësuar nga tezja e tij. Naze Zeneli, e cila është bashkëshortja e Rexhep Zenelit. Kur është bërë birësimi, Luan Sadria ka mbajtur emrin Ismail, njëlloj si emri babait të tij biologjik. Në ndryshimin e identitetit në Ismail Zeneli, data e lindjes ka ndryshuar nga 14 nëntor në 15 nëntor. Për këtë arsye edhe sistemi i gendjes civile që ka hyrë në funksion pas vitit 2008 ka gjeneruar numër personal të ndryshëm. Në dosje, Ismail Zeneli bisedon me Bujar Ajetin, i cili ka marrë përsipër ta ndihmojë në këtë hakmarrje dhe i kërkon të gjejë vendndodhjen e dy vëllezërve Edmond dhe Albert Nela, të cilët ishin autorët e vrasjes së vëllait të tij. Më 19 gusht të vitit 2020, Zeneli i dorëzon adresën e saktët të nipit të vellezërve Nela, Ajetit. Ai quhej Arben Nela. Motra e vëllezërve Nela, Silvi Nela ishte ndarë nga partneri dhe djalit i kishte vendosur mbiemrin e vajzërisë. Në atë kohë, banonte në zonën e Laprakës.