Një biznesmen i njohur shqiptar 45-vjeçar, pronar i një kompanie në Shqipëri që përfiton tendera publikë, është arrestuar në një operacion të policisë greke, i akuzuar si autor i vjedhjes së makinerive të rënda si eskavatorë etj në të paktën tre raste. Kështu shkruajnë mediat greke, të cilat nuk bëjnë publike emrin e biznesmenit në fjalë. Në një nga rastet, viktimë ka qenë kompania private e Kryetarit të Bashkisë së Lamias në Greqi, Panourgias Papaioanou, njëherësh aksioner në skuadrën e futbollit të qytetit. Këtij te fundit, grupi kriminal i përbërë nga dy meshkuj dhe dy femra shqiptare, i kanë vjedhur 2 eskavatorë me vlerë 245 mijë euro, ngjarje e ndodhur të martën e shkuar ne Ftiotidha. Njëri nga eskavatorët është gjetur, por tjetri ende jo. Policia greke beson se ndodhet brenda territorit grek, pasi grupi kriminal nuk besohet se ka pasur kohë ta trafikonte në Shqipëri.
Biznesmeni shqiptar në krye të grupit, si kryhej vjedhja dhe trafikimi në Shqipëri
Policia greke ka zbuluar një grup shqiptarësh të cilët vidhnin mjete të rënda transporti në Greqi, si eskavatorë, me qëllim trafikimin në Shqipëri. 2 burra shqiptarë kanë rënë në pranga dhe 2 femra shqiptare janë shpallur në kërkim, ndërkohë që u zbuluan 3 vjedhje me vlerë 645 mijë euro. Operacioni i policisë greke u zhvillua në Janinë, ku u kryen arrestimet ndërkohë që policia ka sekuestruar një kamion dhe një automjet luksoz me targa shqiptare si dhe disa nga mjetet e rënda të vjedhura. Në veçanti, sipas hetimeve policore, të dyshuarit, të paktën që nga shtatori, duke zotëruar njohuritë dhe mjetet e duhura, janë bashkuar me qëllim vjedhjen e makinerive të ndërtimit nga rajone të ndryshme të vendit.