Ky është Audi që përdorën autorët e grabitjes së dështuar të banesës së çiftit të të moshuarve në fshatin Prush mbrëmjen e së shtunës.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë, ky automjet që rezultoi me targa të dubluara të një makine tip Benz në Lushnje, ka humbur gjurmët në zonën e Ndroqit. Për të kuptuar itinerarin e lëvizjes së tyre policia dhe prokuroria vijon me grumbullimin e pamjeve filmike.
Nga analizimi i sekuencave të përftuara deri tani hetuesit nuk kanë mundur të identifikojnë asnjërin prej tyre. Deri në këtë fazë grupi hetimor ka dyshime se pas këtij grupi që dyshohet se ishin 5 persona, fshihen personazhe me të shkuar kriminale në fushën e vjedhjes. Nisur nga mënyra se si kanë vepruar; kamuflimi si punonjës policie, pajisja me armë zjarri, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që të kemi të bëjmë me të njëjtin grup që kreu grabitjen e argjendarisë në Kamzë.