Argita Berisha nuk ka shprehur ambicie politike për t’u angazhuar më shumë në Partinë Demokratike, por nëse në të ardhmen do të dëshirojë, rruga për të është e hapur.
Kjo është ajo që deklaroi babai i saj, Sali Berisha në një intervistë me Bruna Çifligun në A2 CNN, duke përsëritur kështu qëndrimin e mbajtur edhe më herët pasi fjalimi i zonjës Malltezi në Kuvendin Kombëtar tërhoqi vëmendjen e gazetarëve, dhe jo vetëm.
“Vajza ime, të gjitha qëllimet e saj i ka nga vetja e saj dhe jo nga Sali Berisha. A do të jetë më shumë aktive apo jo, atë e vendos ajo…Fëmijët e mi kanë një aktivitet të pamohueshëm, angazhim në PD. Por të dy kanë preferuar të dy jetën e tyre private.”
Ndërsa, i pyetur për seancën e Këshillit të Mandateve që do të mbahet më 18 dhjetor, ish-kryeministri deklaroi se do të diskutojë fillimisht me avokatët e tij. Sa i përket aksionit opozitar, duket se mosbindja civile, siç janë shprehur shpesh demokratët, do të vijojë. Kreu i Rithemelimit nuk dha detaje, por vetëm bëri të ditur se protesta njëditore nuk do të ketë me.
“Do të jetë shumëformëshme dhe fitimtare. Nuk përjashtojmë edhe elementë të mosbindjes civile. Do t’i marrim me radhë të gjitha rastet.” Për Berishën, në zgjedhjet e ardhshme nuk ka opsion tjetër veçse humbjes së Edi Ramës