Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është shprehur se dëshiron që të dalë e vërteta lidhur me çështjen “Gërdeci” teksa ka thënë se ai ka vepruar në respekt të ligjit.
Në një prononcim për gazetarët nga ambientet e jashtme të GJKKO, Mediu ka deklaruar se do të paraqitet në çdo seancë.
Fatmir Mediu: Dua që të dalë e vërteta rreth këtij procesi dhe besoj që u provua se Fatmir Mediu ka vepruar në respekt të ligjit, në plotësim të akteve ligjore që ka pasur, ka pasur marrëdhënie korrekte me të gjitha strukturat. Nuk ka pasur një reklamim tek ministri i Mbrojtjes për problematikat që mund të kishte pasur në Gërdec. Qëndrimi im ka qenë i prerë që duhet të procedohen penalisht të gjithë ata që kishin shkelur ligjet. Unë do të paraqitem në çdo seancë. Ajo që është e rëndësishme, ky demontim ishte çështje sigurie, detyrim ligjor sepse ishte çështje sigurie për jetën në Shqipëri. Në ministrinë e Mbrojtjes, çdo urdhër i ministrit obligon strukturat që të dalin me raportimet përkatëse të urdhrit të ministrit dhe kjo është e shkruar. Nuk kam bërë as më shumë dhe as më pak, veçse detyrën time në përputhshmëri me këto akte. Kompania kishte bërë shkelje dhe ky vjen si shqetësim i policisë ushtarake. Unë nuk vendos gishtin e përgjegjësisë se kush e ka bërë. Unë nuk kam dijeni se ka pasur veprime mbrapa. Nuk ka një akt apo neglizhim që unë nuk e kam adresuar për zgjidhje.
Ndërkohë, në seancën e sotme, i biri i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha nuk është paraqitur në seancë gjyqësore në cilësinë e dëshmitarit. Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se sipas SPAK, Shkëlzen Berisha ka ndryshuar adresë pasi nuk është gjetur nga gjykata në vendodhjen që ka dhënë kur është marrë si dëshmitar për “Gërdecin”. Seanca e radhës për “Gërdecin” është vendosur më 27 Dhjetor në orën 09:00.