Rreth 800 efektivë policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës së sotme të thirrur nga opozita para Parlamentit.
Protesta do të nisë në orën 09:00 me sloganin “O sot, o kurrë”, teksa Kuvendi do të votojë për kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Efektivët e angazhuar për protestën janë nga Policia e Tiranës dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare (ish-FNSH). Masat janë marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në koordinim me DVP Tiranë.
Në perimetrin e parlamentit janë instaluar kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar çdo lëvizje të protestuesve që policia të ketë të gjitha provat e mundshme nëse do të ketë incidente. Ndërkohë RENEA është në gatishmëri në rast se do të ketë incidente. Po ashtu edhe autobotë me ujë ndodhen në pjesën e pasme të parlamentit nëse do të jetë e nevojshme për të ndërhyrë.