Ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja ka deklaruar se opozita do të qëndrojë e palëkundur për të kundërshtuar vendimin e SPAK.
Sipas tij vendimi i SPAK për arrestimin e tij është antikushtetues dhe parlamenti po e voton pas urdhrit që i vjen nga krimi.
“Deputetët e opozitës i kanë kallur tmerrin mazhorancës dhe prej javësh parlamenti ka më shumë gardistë se deputetë. Prej shumë javësh, parlamenti defakto është shndërruar në ilegjimitet dhe antikushtetueshmëri. Sot pas një vendimi antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese, pas një vendimi antikushtetues të komisionit Rama-Brava, kërkojnë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e kryetarit të PD, duke besuar se në këtë mënyrë do të mposhtin opozitën. Ky është një akt i shëmtuar, krim i vërtetë, por në realitet nuk do të mposhtë kurrë opozitën.
Ky akt dëshmon së pari se në Shqipëri ka një opozitë të fuqishme e cila qëndron e palëkundur kundër kësaj bande në pushtet që ka vendosur diktaturën e saj, qëndron kundër argatëve, lakejve të saj në të gjitha institucionet dhe më gjerë”, tha Berisha.