Dita e Ujit të Bekuar, të rinjtë sfidojnë të ftohtin për të kapur kryqin!

Është kremtuar ditën e sotme, (6 janar) në të disa qytete të vendit nga besimtarët ortodoksë, Dita e Ujit të Bekuar.

Në qytetin e Korçës, kremtimi i festës ka nisur prej mëngjesit me celebrimin e meshës hyjnore  drejtuar nga Imzot Johani për të gjithë besimtarët në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.

Më pas qytetarët iu drejtuan shatërvanit te lulishtja ”Vangjush Mio”, ku është zhvilluar gjithnjë ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë, ndërsa  e kapi për herë te dytë i riu nga Korça Ronaldo Kovaci. Në Sarandë kremtimi i kësaj feste është shoqëruar nga ceremoniali tradicional i hedhjes së kryqit në detin e Sarandës. Besimtarë iu drejtuan kishës së Shën Harallambit, ku morën pjesë në meshën për bekimin e ujit e dhënë nga At Kozmai i kishës “Shën Harallambi”.

Pasi ka dhënë mesazhin e vëllazërimit mes komuniteteve, të jetës në paqe dhe pa të këqija, në mbarim të meshës At Kozmai i spërkati të pranishmit me ujin e bekuar.

Pas meshës në Kishë një numër i madh besimtarësh kanë shoqëruar ceremonialin e hedhjes së kryqit në ujë. Kryqi i shenjtë është hedhur në ujërat e Jonit, nga trampolina e ngritur buzë detit në segmentin e shëtitores përballë me Kishën “Shën Harallambi” në Sarandë.

Me hedhjen e kryqit në ujë simbolikisht është bërë edhe bekimi i të gjitha ujërave. Pas Kryqit janë hedhur në ujërat e ftohta disa të rinj. Kryqin e shenjtë në këtë 6 janar e kapi Leonidha Zisi 47 vjeç, nga Saranda. Ceremonia ka vazhduar më tej me kthimin e besimtarëve në oborrin e kishës “Shën Harallambi”, ku secili prej tyre ka marrë ujë të bekuar për në shtëpitë e tyre. Dita e ujit të bekuar është mbajtur këtë të shtunë edhe në qytetin e Gjirokastrës. Kremtimi i festës ka nisur në kishën Ringjallja e Krishtit ku u mbajt mesha me të gjithë besimtarët ortodoks , dhe me pas vijuan pranë lumit Drino, ku kryen ritualin e hedhjes së kryqit.

Këtë vit kryqi u kap nga 13-vjeçari, Moisi Merkuri ku në fund përcolli urimin e tij për gjithë besimtarët. Edhe në Berat, besimtarë të shumë ortodoksë janë mbledhur  herët në mëngjes në Katedralen e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit, ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare, At Anastas Mamaj, me kryqin në dorë dhe nën goditjen e kambanave të Kishës, i’u drejtua lumit Osum, për të hedhur kryqin simbol të kësaj feste.

11 të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit u hodhën në ujin e ftohtë të lumit për të pritur hedhjen e kryqit. Kryqi u kap nga 15-vjeçari Kostandin Boçi, banues në lagjen “Goriricë” në Berat.

Në qytetin e Fierit kisha e Shën Gjergjit e këtij qyteti ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë. Procesioni ka nisur me meshën në kishë dhe më pas vargu i gjatë i besimtarëve i janë drejtuar shatërvanit në sheshin Europa, ku si për çdo vit tjetër ndiqet hedhja e kryqit në ujë. Në praninë edhe të qindra besimtarëve ortodoks si dhe të qytetarëve të tjerë është ndjekur edhe momenti e hedhjes së kryqit në ujë. Disa të rinjtë sipas zakonit kanë sfiduar të ftohtin dhe janë hedhur në ujë të motivuar për të fituar ‘trofeun’ dhe më pas shpërblimin. Kryqi është kapur nga Dhimiter Kapaj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *