Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka konfirmuar se Spanja njeh pasaportën e Kosovës.
Bislimi në një postim në Facebook shkruan se DG Home (Drejtoria e Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme e BE-së) ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës dhe mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti.
“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti.
Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë. Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”, shkruan ai.