Mbledhja informale e qeverisë në Lezhë vijon prej orës 10:00, ku kryeministri Edi Rama ka mbledhur bashkë me ministrat, drejtorë, deputetë e përfaqësues të Partisë Socialiste për t’u shpalosur objektivat e 2024. Mbledhja ka nisur me fjalimin e kreut të qeverisë, ku burime për Report Tv bëjnë me dije se në këtë takim Rama ka përjashtuar mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ndërkohë, ministrat po analizojnë punën dhe projektet që do të zbatohen gjatë vitit 2024, ku në fokus do të jetë edhe rritja e performancës së administratës publike.
Mbledhja e qeverisë, përgjatë pasdites do të fokusohet pikërisht te inovacioni, shërbimet dhe ndarja e përgjegjësive për të pasuar të mërkurën, kur takimi informal do të mbyllet me prezantimin e konkluzioneve për secilën ministri.
Në takim janë edhe krerët e komisioneve parlamentare, zv.ministrat, drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Po ashtu e pranishme është edhe drejtoresha e AKSHIT, Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e Kadastrës Dallëndyshe Bici, si edhe drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Cano.