Një krim i rëndë ka tronditur Greqinë, ku një 50-vjeçar shqiptar ka vrarë me armë zjarri kunatin e tij, pasi mësoi se ky i fundit i kishte përdhunuar vajzën prej 9 vitesh. E bija 18-vjeçare, nga martesa e parë, i kishte rrëfyer Fatmir Talellarit mëngjesin e së martës (9 Janar) se 33-vjeçari Erjon Pelivani kishte abuzuar seksualisht me të që prej moshës 9 vjeçare, raportojnë mediat greke.
Autori ka treguar se është takuar me vëllain e gruas së tij të dytë pranë fabrikës AGET në zonën e Volos rreth orës 19:45 të pasdites së të martës. Me të mbërritur në vendngjarje, pas një debati që ka pasur me të, autori e ka goditur 33-vjeçarin me tytën e pushkës në fytyrë dhe kur i riu ka tentuar t’ia heqë armën, e ka qëlluar për vdekje me një plumb të vetëm. Më pas, në orën 21:40, autori ka shkuar në Komisariatin e Policisë Volos dhe ka rrëfyer krimin e rëndë.
Menjëherë në vendngjarje ka shkuar një patrullë policie, ku kanë gjetur pranë fabrikës AGET, trupin e pajetë të të riut të shtrirë në tokë, me dëmtime në fytyrë dhe të vrarë me plumb në gjoks. Matanë rrugës ishte automjeti, në pronësi të viktimës.