Vetëhelmimi i 41-vjeçares Bedrie Lokës, merret vendimi për kujdestarinë!

Kujdesi për djemtë e mitur të Bedrie Lokës, nuk do t’u lihet familjarëve të babait të arrestuar. Megjithëse nuk ka ende një kërkesë zyrtare në gjykatën e Durrësit për caktimin e kujdestarisë, fëmijët e kanë shprehur vullnetin për kujdestarët ligjorë.

Për djalin 10-vjeçar pritet të jetë motra e madhe, ndërsa për Kledjanin 16 vjeç, njëri nga dajat. Ndërkohë autoritetet vendore kanë nisur ndihmën për ta. Pas ngjarjes traumatike, motra e madhe, Lina siç i  thërrasin vëllezërit, ka marrë rolin e prindërve, ndërsa vëllai 18-vjeçar, do të vazhdojë të punojë jashtë vendit për të ndihmuar familjen.

“Shërbimi Social ka nisur të veprojë dhe dihet që fëmijët duhet të trajtohen me terapistë traumash, po dhe kujdestaria që do të merret duhet të vëzhgohet pasi dihet që dhe familjet nga ana e nënës dhe e babait janë në traumë me problemet e tyre jetike”,- është shprehur terapistja.

 

Sipas specialistëve, trajtimi i fëmijëve me shërbime psiko-sociale duhet të jetë i menjëhershëm dhe afatgjatë, por edhe familjet e prindërve të tyre kanë nevojë për ndihmë profesionale, për të lehtësuar traumën dhe zgjidhur konfliktet mes tyre për të mos rënduar më tej gjendjen. Në këtë situatë dhe siguria merr përparësi, pasi shtëpia e familjes Loka ka shërbyer vazhdimisht si mollë sherri mes nënës së tyre dhe familjarëve të babait të arrestuar.

“Duhet të vlerësohet mirë ku rrinë, komuniteti ku janë, me çfarë përballen në familje, pra duhet një vlerësim shumë i mirë dhe i detajuar, pasi fëmijët janë në traumë dhe kalojnë në postrauma që duan një kohë të gjatë për t’u trajtuar”.

Në fundin tragjik të 41-vjeçares, rol pati dhe mungesa e mbështetjes psiko-sociale në komunitet.

“Nëse ajo do të kishte bashkëpunim, asaj nuk do t’i ishin mbyllur të gjitha shtigjet për të kaluar në vetëvrasje. Kemi të bëjmë me një depresion të rëndë që u nxit dhe nga mospërkrahja e komunitetit, familjeve që e çoi në vetëflijim”.

Pas tragjedisë, një grup pune i ngritur nga Shërbimi Social pranë bashkisë së Durrësit, ka nisur zbatimin e një plani ndërhyrjeje për t’u ardhur në ndihmë 4 fëmijëve që mbetën jetimë nga nëna dhe me baba të arrestuar, nën akuzën e keqtrajtimit sistematik që çoi drejt fundit tragjik nënën e tyre. Plani fokusohet në shërbime psiko-sociale, ligjore dhe ekonomike, duke vlerësuar çdo mundësi për fëmijët, përfshirë dhe një punësim më të mirë për vajzën e madhe të familjes, si dhe edukimin e djemve të mitur. Ndërsa Argjendi, djali i vogël i Bedries ndjek arsimin fillor, përpjekje po bëhen që djalit adoleshent të familjes Loka t’i ofrohet mundësia për të mësuar një zanat. I detyruar edhe nga rrethanat familjare, 16-vjeçari nuk e ka nisur arsimin e mesëm, po ka hyrë në punë për të ndihmuar familjen, ashtu si dhe motra e vëllai më i rritur. Në pritje të kërkesës, do të jetë gjykata e Durrësit, që do të vlerësojë dhe caktojë kujdestarët ligjorë që do të ofrojnë kushtet më të mira, për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve të familjes.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *