“Të fortët” që prodhoi viti 1997 në Shqipëri, patën të gjithë një fund. Disa u vranë, disa shkuan në burg e disa janë ende në arrati. Por për disa të tjerë, pasojat ishin edhe më të rënda. Paguan e po paguajnë me jetën e fëmijëve të tyre. Gëzim Sinomataj ende nuk kishte lindur kur i ati, Sokoli, vendosi t’i bashkohej bandës së Gaxhait në vitin 1997. As kur ai u akuzua për vrasjen e parë në Vlorë, më 24 qershor të vitit 2000. Ndërsa ishte vetëm 2 vjeç, ku i ati, Sokol Sinomataj, bashkë me Armando Sulejmanin, u akuzuan për vrasjen e Elton Tatos dhe plagosjen e Robert Borakut.
E megjithëse nuk e lidhte asgjë me ato krime, Gëzim Sinomataj, pagoi për to mbrëmjen e 7 janarit. Ai u vu në shënjestrën e snajperit të pozicionuar poshtë ballkonit dhe sapo doli për të pirë cigare, u qëllua për vdekje me një plumb në kokë. Hetimet e para të kryera për këtë ngjarje, i kanë çuar oficerët e Policisë drejt një pistë te vetme. Hakmarrjes. Një hakmarrje që lidhet me babanë e tij, pasi vetë Gëzimi rezultonte i pastër. Kur Sokol Sinomataj iu bashkua bandës së Gaxhait në vitin 1997 ishte në moshën e të birit. Por, pavarësisht jetës që kishte bërë, u kujdes që djali të mos ecte në gjurmët e tij. Vendosi ta mbante larg. Gëzimi ishte djali i tij i vetëm, që kishte ardhur në jetë nga një martesë që zgjati pak dhe përfundoi në divorc. Sokol Sinomataj e kishte larguar djalin nga Shqipëria drejt Belgjikës, ku vazhdonte studimet. Ndërsa u kthye në Vlorë për festat e fundvitit. E duket se ku ishte momenti që armiqtë kishin pritur.
Pas një mesazhi që i dhanë Sokol Sinomatajt dy vite më parë, kur më 3 janar 2022 i hodhën në erë makinën e të vëllait, Bernardit, kësaj radhë goditja ishte fatale. U vra djali i tij. Fakti që ngjarja ndodhi në të njëjtin vend ku ndodhi dhe shpërthimi, në apartamentin ku jetonte edhe Bernard Sinomataj, pati një lloj pështjellimi edhe për një ngatërresë në objektiv.
Por një sipërmarrje e tillë, një vrasje që mund të ketë kushtuar miliona, e kryer me një snajper me preçizion mjaft të lartë edhe nga distanca më të largëta, duket se nuk bind askënd për një ngatërresë të mundshme. Pas një vale të rëndë kriminaliteti, me zhdukje e vrasje mafioze, Vlora u duk se ra në qetësi dy vitet e fundit. Madje situata e rendit u duk sikur u përmirësua ndjeshëm gjatë vitit 2023, pasi u regjistrua vetëm një vrasje. Por 2024-a nisi ndryshe atje. Vrasja e 7 janarit, duket sikur sapo ndezi fitilin e një dinamiti që nga momenti në moment mund të shpërtheje. Këtë e thonë banorët e zonës e thonë nën zë edhe vetë oficerët e Policisë. Arsyeja është Sokol Sinomataj. Një njeri që i është bashkuar krimeve në moshë fare të re dhe burgjet u ka provuar po aq herët. Ai sot është 45 vjeç, por ata pak njerëz që e njohin, kanë të fiksuar imazhin e një 21-vjeçari, kur ishte i ulur në bankën e të akuzuarve, si pjesë e bandës kriminale ku bënte pjesë. Ai mori pjesë në ceremoninë e varrimit të të birit më 9 janar, nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga Policia nga burgu i Fushë – Krujës, ku vuante dënimin e deri në kthim. Shumë pak e dinin që ai ndodhej në burg. Arrestimi i tij vitin e kaluar në Belgjikë, ashtu edhe ekstradimi i tij në Shqipëri, kishin kaluar në heshtje. Sinomataj është drejt përfundimit të dënimit dhe duket se shumë shpejt do të lërë qelinë.
Kush është Sokol Sinomataj? Për çfarë është akuzuar dhe dënuar?
Sokol Sinomataj i bashkohët bandës së Gaxhait në Vlorë Në një kohë anarkie siç ishte viti 1997, armatosja e shoqërisë e diktati i rrugës përballë ligjit prodhuan aq shumë krime, disa prej të cilave edhe sot vijojnë të jenë pa autor. Në vitin 1997, krimi i vrasjes arriti shifrën maksimale që ishte 50 për qind e kriminalitetit vjetor. Ndodhën 1542 vrasje. Një shifër e tillë nuk ishte regjistruar asnjëherë. Por qyteti i Vlorës dukej më i egërsuari në atë kohë. Tërheqja e forcave të Policisë, krijoi kushte të favorshme për krijimin e grupeve kriminale. Bashkë me qytetarët që u ngritën në protesta me sloganin “duam paret tona”, në sipërfaqe dolën edhe gangsterë të të gjitha llojeve. Që nga banditët e rrugës, rrëmbyesit e pengjeve, vrasësit, gjobëvenësit. Ata gjetën terren të përshtatshëm në Vlorë, që për shumë arsye u kthye në një fushëbeteje të grupeve kriminale me natyrë mafioze. Aty u krijuan aleancat e para që patën bazën për krimin e organizuar. Aty nisën të dalin “të fortët” e parë, siç oshte Zani Caushi dhe Gazmend Brraka, i njohur si Gaxhai. Duke shfrytëzuar “Komitetin e Shpëtimit Publik”, të krijuar me idenë e ruajtjes së rendit dhe qetësisë, bandat kriminale ndanë zonat e influencës duke vendosur pushtetin e tyre dhe projektuan planet për krime.
Grupi i drejtuar nga Gaxhai jetonin së bashku në mënyrë të organizuar në fshatin Cerkovinë. Gazmend Brraka, së bashku me një grup shokësh, nga qyteti i Vlorës, por dhe nga qytete të tjera, ndër ta dhe mjaft persona tashmë të vrarë, në mars të vitit 1997 krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e Gaxhait. Anëtarët e kësaj bande, përveç Gazmend Brrakës, ishin edhe Alfred Nebiu, i njohur ndryshe si “Kakami”, Robert Boraku, Armando Sulejmani, Sokol Sinomataj, Fredi Mertiri e Gazmend Nebiu. Banda rivale me grupin e Gaxhait ishte Banda e Çoles. Përplasja midis tyre nisi më 9 maj 1997, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait. Gaxhai në kundërpërgjigje tentoi të merrte autoblindat e policisë për të luftuar me Zani Caushin, po nuk ia arriti.
Sokol Sinomataj, i njohur me nofkën “Buzderri”, ishte akuzuar nga drejtësia si një prej pjesëtarëve aktivë të bandës. Në mars të vitit 2009, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi burgim të përjetshëm për Gazmend Brakën, ndërsa të njëjtë masë dënimi kërkoi edhe për 4 pjesëtarët e grupit të tij Armando Sulejmani, Sokol Sinomatajn, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiun. Ata akuzoheshin për kryerjen e disa lloje krimesh gjatë trazirave të vitit 1997 në Vlorë. Gjatë leximit të pretencës së prokurorisë, u përmendën 5 vrasje, si dhe vrasjen për shkak të cilësive të veçanta të një polici dhe vjedhjes me dhunë. Akuzat e ngritura për bandën e Gaxhait ishin: “Krijim i bandave dhe organizatave kriminale”, “Kryerja e krimeve nëpërmjet organizatave dhe bandave kriminale”, “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta”, “Armëmbajtje pa leje”, “Vrasje me paramendim”, si dhe “vjedhje me dhunë”, vepra këto të kryera në vitin 1997. Ata akuzohen për vrasjen e Sadik Kurtit, Avdul Bajramit, Arben Latifit, Gjergji Cukallës, Zyni Harunit dhe policit Viron Rrapaj.
Sokol Sinomataj qëllon drejt “armikut”, vret kalimtarin
Më 24 qershor të vitit 2000, një krim për hesapet e vitit 1997 ndodh në lagjen “Skelë”, të Vlorës. Sokol Sinomataj qëllon me breshëri kallashnikovi drejt kundërshtarit të tij, por plumbat godasin dhe lënë të vdekur një kalimtar e plagosin 2 të tjerë. vret një kalimtar të rastit dhe plagos dy të tjerë. Policia përcaktoi si autor të kësaj ngjarje anëtarin e ish-bandës së Gaxhait. Sokol Sinomataj, në atë kohë 27 vjeç, pasi ka zbritur nga makina, ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Sokol Nuhos, që ishte ulur në lokalin “London”. Nuho ka reaguar menjëherë me pistoletë, por dy protagonistët kanë shpëtuar pa dëmtime. Por 150 metra më lart, tek posta e Skelës, një plumb kallashnikovi ka goditur një kalimtar të rastit, i cili kalonte aty me biçikletë. Luigj Xhafa, 42 vjeç, nga Vlora, ka gjetur vdekjen, i goditur nga një plumb në anën e djathtë të kraharorit. Sipas dëshmive të para që u mblodhën në vendngjarje, rezultonte se Sokol Sinomataj ishte larguar në drejtim të Radhimës, ku dhe u strehua në një nga vilat e plazhit. Ai u rrethua nga forca të shumta të policisë dhe të FNSH-së. Për tre orë me radhë, nuk ka pranuar të dorëzohet, duke kërcënuar se do të hapte zjarr. Por kur kuptoi se nuk kishte asnjë shpresë për t’u larguar, ka vendosur të dorëzohet.
“Buzëderri” e “Çipuri” vrasin Elton Taton
Më 26 qershor të vitit 2002, rreth orës 15:00, në afërsi të ish-lokal “Zyrih”, në lagjen “Skelë” të qytetit të Vlorës, ka mbetur i vrarë me armë zjarri Elton Tato. Në ngjarje u akuzuan se morën pjesë dy ish-anëtarë të bandës së Gaxhait, Sokol Sinomataj, i njohur si “Buzëderri”, dhe Armando Sulejmani, i njohur si “Çipuri”. Ditën e ngjarjes është realizuar edhe këqyrja e një kanali të shkarkimit të ujërave të zeza që kalon përmes lagjes “Pavarësia” dhe derdhet në vendin e quajtur “Aulona” ku është gjetur një armë zjarri automatik kallashnikov me tytë të prerë. Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, Armando Sulejmani dhe Sokol Sinomataj, për shkak të një konflikti të mëparshëm me Elton Tato dhe Robert Borakun, u ka lindur mendimi kriminal për vrasjen e tyre. Ditën e ngjarjes ata kanë pikasur se shtetasit Elton Tato e Robert Boraku ishin duke parë një ndeshje futbolli tek ish- disko “Delfini”. Ky fakt i ka çuar ata në marrjen e vendimit për vrasjen e tyre dhe me këtë rast ata kanë parkuar në afërsi të ish-lokal “Zyrihu”, pranë ish-diskos, në drejtimin veriperëndimor të tij, makinën tip “Toyota”, pronë e Armandos, duke pritur mbarimin e ndeshjes dhe me këtë rast daljen e Elton Tatos e Robert Borakut. Sokol Sinomataj ka qëndruar brenda në makinë, i ulur në vendin e parë të pasagjerit, ndërsa Armando Sulejmani ka qëndruar në sheshin përpara lokal “Zyrihu”. Në përfundim të ndeshjes, Eltoni e Roberti kanë dalë nga disko dhe pasi kanë hipur në makinën e tyre, kanë lëvizur para lokal “Zyrihu” me drejtim për nga qendra e qytetit dhe kanë ndaluar përbri trotuarit ku qëndronte në këmbë Armando Sulejmani.
Pasi kanë ndaluar automjetin Armando ka nisur të bisedojë me Robertin, i cili ka hapur derën e makinës. Armando u ka kërkuar që të shkonin së bashku deri të makina e tij, e parkuar 30 metër larg vendit ku po zhvillohej biseda. Gjatë ecjes, Elton Tato e Robert Boraku e kanë vendosur në mes Armando Sulejmanin, ndërsa Eltoni ia mbante pistoletën të drejtuar në kokë. Pasi kanë përshkruar një distancë rruge përpara bar “Zyriut”, në momentin që po i afroheshin automjetit “Toyota”, Armando i ka bërë thirrje Sokol Sinomatajt që gjendej brenda në pritje të viktimave , duke i thënë: “O Sokol qëlloi vriti….”. Me këtë thirrje, Sokoli ka dalë menjëherë nga makina dhe me armën tip automatik ka hapur zjarr me breshëri në drejtim të Eltonit e Robertit, ku si pasojë ka mbetur i vdekur në vend Elton Tato, ndërsa Robert Boraku është larguar me vrap në drejtim të pallateve në anën tjetër të rrugës duke iu shpëtuar plumbave. Pas kësaj Sokoli i ndjekur pas edhe nga Armando është larguar me armë në dorë në drejtim të rrugës ku ndodhet selia e Partisë Demokratike. Pasi kanë përshkruar një distancë të shkurtër autori ka hedhur në një kanal armën, me të cilën realizuan krimin. Për këtë vrasje Armando Sulejmani është dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” ndërsa Sokol Sinomataj me 20 vite burgim.
Sinomataj ekstradohet nga Italia, kërkohej për vrasje
Me një dëmin çerek shekulli të dhënë nga Gjykata e Vlorës dhe me një pretencë për burgim të përjetshëm nga Krimet e Rënda, ish – anëtari i bandës së Gaxhait, Sokol Sinomataj, u soll në pranga në duar nga Italia në Aeroportin e Rinasit, më 3 prill të vitit 2009. Sinomataj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Vlorës, me vendimin nr.129, të datës 25 qershor 2003, e kishte shpallur atë fajtor për “vrasje me paramendim”, të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimi nr.221, të datës 10 shtator 2003, e ka dënuar përfundimisht me 25 vjet burg. Sinomataj ishte arrestuar në Itali më 10 mars të vitit 2004, por ekstradimi i tij u krye 5 vite më pas. Gjatë kësaj kohë ai ka qenë duke u gjykuar në mungesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i akuzuar për veprat penale të kryera nga banda e armatosur, e drejtuar nga Gaxhai. Në pretencën e dhënë atë vit, Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të. Megjithatë, në shkurt të vitit 2014, Gjykata e Lartë vendosi që Armando Sulejmani dhe Sokol Sinomataj të mos dënohet si pjesëmarrës në bandën e armatosur të Gaxhait, por të dënohet përfundimisht me akuzën e “Vjedhjes me dhunë” në bashkëpunim, duke u dënuar përfundimisht me 16 vite burgim.
Ky vendim solli lirimin e tyre por edhe zemërimin e kundërshtarëve, duke sjellë përplasje të ashpra e krime të rënda në Vlorë e qytete të tjera. Fillimisht Armando Sulejmani në vitin 2016 e një vit pas tij, duke përfituar nga një leje në Burgun e Peqinit, Sokol Sinomataj arratiset duke thyer lejen në vitin 2017. Ai u shpall në kërkim më 12 shtator të vityit 2017. Menjëherë, sapo doli nga burgu, bashkë me të vëllain Bernardin dhe djalin Gëzimin u larguan nga Shqipëria dhe u vendosën në Belgjikë. Kjo liri e “Çipurit” dhe “Buzëderrit” solli një riorganizim të grupit të vjetër, por që tashmë kishin hesape të reja. Aktivitetin e zhvilluan si jashtë ashtu edhe brenda vendit. Por vitet e fundit, më i ekspozuar, edhe shënjestër atentatesh, por edhe si autor i dyshuar atentatesh ka qenë Armando Sulejmani. Ndërsa miku i vjetër i Sulejmanit, Sokol Sinomataj u rikthye në burg pas ekstradimit nga Belgjika, në shënjestër të atentatorëve u vu familja e tij.
KRIMET E REJA TË “ÇIPURIT” E “BUZËDERRIT”
Të gjithë ato grupime gangsterësh apo banda kriminale që u krijuan në vitin 1997, u shpërbënë gjatë viteve në forma të ndryshme. Shumë prej tyre u vranë, të tjerë vijojnë të kalojnë pjesën e mbetur të jetës në burg, disa u vranë pasi përfunduan dënimin e shumë të tjerë jetojnë ende në arrati. Disa prej atyre që dikur ishin pjesë e bandës së Gaxhait, e vijojnë edhe sot aktivitetin. Të tillë janë Armando Sulejmani e Sokol Sinomataj. E duket se kjo është arsyeja pse hetimet që po kryhen për vrasjen e Gëzim Sinomatajt, mbrëmjen e 7 janarit në Vlorë, janë përqendruar më tepër tek krimet e reja të atij grupimi që ka mbetur nga banda e vjetër. Duket se pista e hakmarrjes e ngritur tashmë nga grupi hetimor, nuk lidhet shumë me ato ngjarje të ndodhura pas ’97 deri në vitin 2002, por me veprimtarinë kriminale që dyshohet të jetë kryer nga Sinomataj pas vitit 2017.
Plagoset në atentat “Çipuri”, sapo kishte dalë nga burgu
Armando Sulejmani, ish-anëtari i bandës së Gaxhait dhe njëkohësisht miku i Sokol Sinomatajt, plagoset në një atentat të organizuar ndaj tij më 23 maj të vitit 2016, në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë. Ai u qëllua nga një plumb në krah, në hyrje të pallatit ku banonte. Policia tha atë kohë se autorët mund të kishin qenë vrasës me pagesë, por amatorë. Vetë “Çipuri”, në atë kohë 39 vjeç, deklaroi se nuk i ka njohur personat që i bënë atentat, pasi ata kanë qenë të maskuar. Ndërkohë, ai nuk ka pranuar se ka pasur armë zjarri dhe se nuk ka qëlluar në drejtim të atentatorëve, edhe pse Policia deklaroi se kishte pasur shkëmbim zjarri. Armando Sulejmani kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, pas përfundimit të dënimit. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë në disa njësi tregtare të zonës, Policia e Vlorës ka konstatuar se në atentatin ndaj Sulejmanit kanë marrë pjesë dy persona të moshës nga 20 deri në 25 vjeç, të maskuar dhe të armatosur me pistoleta. Policia dyshonte se ngjarja kishte ndodhur për larje hesapesh dhe se kishte lidhje me krimet e kryera nga Armando Sulejmani në të shkuarën e tij. Nga ana tjetër Sulejmani, si ish-anëtar i bandës së Gaxhait ka pasur konflikte edhe me familjen Llanaj. Nga të dy palët kanë ndodhur ngjarje kriminale, derisa në vitin 2015, ndodhi masakra e Çoles, ku pas një sherri në kazino u vranë 3 të rinj. Një nga të arrestuarit për masakrën është Aleksandër Llanaj, vëllai i Ferdinand Llanajt. Këtij të fundit iu bë një atentat mafioz në vitin 2017 dhe i dyshuari kryesor ishte Armando Sulejmani. Për këtë ngjarje ai u dënua me 20 vite burg por është liruar në rrethana të paqarta pak kohë më vonë.
“Çipuri” plagoset në atentatin ku iu vra kunati e shoku
Më 17 shkurt të vitit 2019, 3 vjet pasi atentatit të parë, Armando Sulejmani ishte objektivi i një tjetër plani për vrasje, ku mbeti i plagosur dhe u arrestua. Ngjarja ndodhi në zonën e “Ujit të ftohtë”, në Vlorë. Ai u godit nga një plumb në dorë e një tjetër në këmbë, ndërsa mbetën të vrarë, shoku e kunati i tij. Orest Rexho u qëllua nga 19 plumba, ndërsa 14 plumba automatiku lanë të vdekur Arjan Hasani. Çipuri dyshohet si një nga personat e përfshirë në vrasjen e Edison Harizajt. Nuk dihet me saktësi se ku ka nisur përplasja mes Armando Sulejmanit dhe Edison Harizajt, por ka dyshime se “Çipuri” është përfshirë në vrasjen e “Il Padrinos”, i cilësuar si një nga njerëzit më të fortë të Vlorës. Për vrasjen e tij të ndodhur në Durrës në nëntor 2018, dyshohet se autorët kanë qenë me pagesë, por Suljemani mund të ketë luajtur rol indirekt, pasi Harizaj ishte një nga personat më të ruajtur, për shkak të konflikteve të shumta që kishte nga trafiku i drogës, vrasjet dhe gjobëvëniet. Ai njihet edhe për miqësinë me Emiljano Shullazin. Harizaj, bashkë me shokun e tij, Genci Çaçi, u qëlluan me mbi 50 plumba, ndërsa po udhëtonin në drejtim të Kavajës me një makinë “Audi A8”.
Atentat me tritol motrës së Armando Sulejmanit
Motra e Armando Sulejmanit, Etleva Elmazi i shpëtoi një atentati me tritol më 23 qershor të vitit 2020. Në mesditë Policia e Vlorës mori një telefonatë se në makinën e llojit ‘BMW X3”, ishte gjetur një pako e dyshimtë. Menjëherë zona u rrethua dhe pas verifikimeve efektivët konstatuar se në makinën, që ishte në emër të motrës së “Çipurit”, ishte vënë eksploziv. Makina u transportua në Komisariatin e Vlorës dhe forcat xheniere bënë të mundur heqjen e pakos. Vetë Elmazi është shprehur se në momentin që ka dalë të marrë makinën e saj, para dhomave të paraburgimit në Vlorë, ku edhe e kishte parkuar, ka parë që një person ka dalë nga poshtë mjetit. Ky veprim e ka bërë të dyshojë dhe të njoftojë autoritetet, të cilët më pas zbuluan se në makinën e saj ishte vendosur një sasi tritoli. Policia tha se motivi i këtij atentati mendohet të jetë larja e hesapeve dhe të ketë lidhje me të shkuarën e vëllait të saj, Armando Sulejmani. Por nga ana tjetër, Etleva Elmazi është edhe nëna e Daut Elmazit, i cili është vënë në pranga si bashkëpunëtor në atentatin kundër Inez Hajrullës.
Bashkë me Elmazin, për sulmin me breshëri ndaj Hajrullës më 10 maj të vitit 2019, u akuzuan edhe Albano Goxhaj nga Fieri, Xheladin Merko, Dejvison Serjani dhe Ardjan Ahmetin, të cilët janë liruar nga burgu. Ndërkohë në kërkim për këtë ngjarje vijon të jetë Fatmir Hyseni, ose siç njihet ndryshe në Vlorë me nofkën “Doqja”. Ky person momentalisht nuk është mundur të arrestohet nga policia e Vlorës, ndërkohë që rezulton në kërkim edhe për vrasjen e mikut të Ervis Martinajt, ish-policit Santiago Malko në Tiranë, krim i organizuar nga klani “Duka”.
Tritol makinës së vëllait të Sokol Sinomatajt
Një shpërthim i fuqishëm tritoli ndodhi pasditen e datës 3 janar të vitit 2022, në afërsi të Poliklinikës në Vlorë. Lënda plasëse ishte vendosur poshtë makinës së Benard Sinomatajt, i cili prej kohësh kishte parkuar mjetin në lagje, vetë nuk ndodhej në Shqipëri. Mjeti me targa AA 151 MJ, rezultonte në pronësi të një gruaje, por Policia tha se përdorej nga Sinomataj, vëllai i Sokol Sinomatajt, që ndodhej në burg për vrasje. Ngjarja u konsiderua si një mesazh për vëllezërit Sinomataj, pasi sipas të dhënave autorët ishin në dijeni të faktit që askush nuk do të dëmtohej nga shpërthimi e për më tepër Berndard Sinomataj nuk ndodhej aty. Për shkak të problemeve që kishin, familja Sinomataj ruhej vazhdimisht ndaj ndonjë sulmi të mundshëm dhe kishte vendosur kamera sigurie për të monitoruar gjithçka. Por duket se autorët kanë shfrytëzuar mungesën e vigjilencës pas festës së vitit të ri, për t’i dhënë mesazhin familjes Sinomataj. Duket se ky mesazh i përcjellë në atë kohë, u konkretizua fiks dy vite më pas në një formë shumë më të rëndë. U ekzekutua djali i Sokol Sinomatajt.
Ekzekutohet me snajper djali i Sokol Sinomatajt në Vlorë
Rreth orës 22:00, të datës 7 janar 2024, lagjja “Hajro Cakërri”, pranë Poliklinikës në Vlorës, ishte në errësirë të plotë. Gëzim Sinomataj, 22 vjeç, djali i vetëm i Sokol Sinomataj, i cili kishte ardhur nga Belgjika, ndodhej në shtëpinë e xhaxhait të tij Bernadrit. Një makinë “BMW” dyshohet se mund të ketë qëndruar e parkuar disa metra më tutje, për disa minuta, me një rreze që shikonte drejt ballkonit të apartamentit të Sinomatajt. Kjo makinë është gjetur e djegur në lagjen “24 Maji” ku po ashtu ishte errësirë, gjë që ngre dyshimet se autorët e kanë njohur zonën dhe kishin llogaritur gjithçka, pasi energjia është rikthyer rreth 10 minuta pas ngjarjes. Në makinë është gjetur një bllok betoni, i vendosur në pjesën e pasme të saj. Nga rindërtimi i ngjarjes, ekspertët e Policisë besojnë se ky bllok betoni ka shërbyer për të fiksuar snajperin e përdorur në vrasje. Autori, që sipas ekspertëve mund të jetë një profesionist në përdorimin e snajperit, ka pritur momentin kur në ballkonin që kishte marrë në shenjë të dilte objektivi. Nuk është e qartë nëse objektiv i atentatit ka qenë djali apo vëllai i Sokol Sinomatajt, megjithatë një ngjarje me organizim të tillë vështirë se mund të ketë ngatërresë në objektiv. Në momentin që në ballkon ka dalë për të pirë cigare Gëzim Sinomataj, atentatori ka tërhequr këmbëzën, duke e lënë të vdekur në vend me një plumb në kokë.
Përveç predhës së një fisheku 7 milimetër, që ka goditur 22-vjeçarin, autorët nuk kanë lënë asnjë gjurmë tjetër në vendngjarje. Fakti që zona ka qenë në errësirë, para, gjatë por edhe 10 minuta pas ngjarjes, po verifikohet nga Policia si pjesë e planit të atentatorëve. Edhe pse ditën e ngjarjes, Vlora ka qenë e përfshirë një stuhi, që mund të ketë sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike. Kamerat e sigurisë në këto kushte nuk kanë fiksuar asgjë. Ndërsa në makinën e djegur të atentatorëve, zjarri nuk ka lënë asnjë provë të vlefshme. RENEA e FNSH kanë ushtruar kontrolle në disa zona të Vlorës e deri në Selenicë, nisur nga konfliktet e familjes Sinomataj, megjithatë deri tani nuk ka asnjë të dyshuar konkret. Gëzim Sinomataj ende nuk kishte lindur kur i ati vendosi t’i bashkohej bandës së Gaxhait në vitin 1997. As kur ai u akuzua për vrasjen e parë. Jetoi larg Shqipërisë dhe pa prezencën e të atit dhe e njohu më shumë në Belgjikë pas vitit 2017 derisa ia arrestuan sërish. Por, ndonëse nuk u përfshi askund e nuk kishte dijeni për çfarë kishte bërë babai i tij, plumbi nuk e kurseu. Vrasja e 22-vjeçarit nuk prishi vetëm qetësinë e Vlorës, por duket se prishi dhe paqen e heshtur mes grupeve kriminale./abcnews.al