Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka bërë thirrje që shqiptarët e Luginës së Preshevës të refuzojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Kamberi në Facebook shkruan se kjo politikë e presidentit serb duhet të refuzohet pasi është e papranueshëme, ndërsa shton se sulmi në Veri tregoi se Rajoni ka nevojë për paqe dhe se ky ligj të rikthen në vitet 90-të.
“Paralajmërimet për shërbim të detyrueshëm ushtarak në Serbi, edhe pse levizje strategjike marketingu nga Presidenti Aleksandar Vuçiq është i papranueshëm dhe duhet të refuzohet nga shqiptarët e Luginës së Preshevës. Serbia, sot nuk është e kërcënuar nga asnjë prej vendeve fqinje, madje përkundrazi, rasti i 24 shtatorit vitit të kaluar në Banjskë ka treguar për cenimin e integritetit të vendeve fqinje dhe kush synon agresorin.
Rajoni ka nevojë për paqe dhe progres, ndryshe vendimet e këtilla luftënxitëse vetëm sa na rikthejnë në vitet e 90-ta”, shkruan Kamberi.