Të paktën 50 vetë, përfshirë një nënë nga Teksasi me dy fëmijët e saj dhe tre qytetarë të tjerë amerikanë rezultojnë të zhdukur që prej udhëtimit të tyre në atë që mediat e huaja kanë nisur ta quajnë “autostrada e vdekjes” në Meksikë.
Këto 6 muajt e fundit, ritmi i të zhdukurve në rrugën mes qendrës industriale Monterrey dhe qytetit kufitar Nuevo Laredo është shtuar ndjeshëm, duke mbjellë shqetësim dhe frikë. Familjarët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit, ndërsa autoritetet lokale vetëm tani njoftuan një program të përbashkët për zgjidhjen e këtij ngërçi të madh. 6 burra janë rishfaqur pas zhdukjes dhe thonë se persona të armatosur i detyruan të ndalojnë në autostradë, i rrahën e i vodhën makinat.
Nuk dihet se çfarë ka ndodhur me dhjetëra persona të tjerë, nëse kane pasur apo jo edhe ata fatin e keq te përballen me të njëjtin grup. Qyteti i Nuevo Laredos dominohet nga anëtaret e mbetur prej kartelit të vjetër Zetas, të cilët janë të famshëm për dhunën e tyre.
Zhdukjet dhe të shtënat e javës së kaluar mbi 15 kalimtarë të pafajshëm në Reynosa, sugjerojnë që Meksika po kthehet në ditët e errëta të luftës së drogës 2006-2012 kur personat e armatosur të karteleve shpesh shënjestronin publikun e gjerë si dhe njëri-tjetrin. “Nuk është më midis karteleve; ata po sulmojnë publikun,” tha aktivistja Angelica Orozco.
Gjysma e personave të zhdukur në autostradë besohet të jenë qytetarë ose banorë të SHBA-ve, megjithëse Ambasada Amerikane nuk ka mundur të konfirmojë statusin e tyre. Të Shtunën, zyra e FBI-së në San Antonio, Texas, lëshoi një buletin duke kërkuar informacion mbi zhdukjen e një gruaje në Laredo, Texas, Gladys Perez Sánchez dhe djalit të saj 16-vjeçar dhe vajzës 9-vjeçare, të cilët ishin për herë të fundit duke u nisur në autostradë më 13 qershor. Ata kishin vizituar të afërmit në Sabinas Hidalgo, një qytet në autostradë dhe po ktheheshin në Teksas kur u zhdukën.
Vetëm të Premten të dy qeveritë e shtetit, Nuevo Leon dhe Tamaulipas, njoftuan një program të përbashkët për të rritur policinë dhe sigurinë në autostradë, një hap që, nëse do të ishte kryer një muaj më parë, mund të kishte shpëtuar dhjetëra jetë.
“Vetëm tani Garda Kombëtare po del për të patrulluar në autostradë. Pse kanë pritur kaq shumë? ” pyeti Karla Moreno, burri i së cilës, shoferi i kamionit Artemio Moreno, u zhduk në rrugë më 13 Prill.
/Burimi APnews/ përshtati në shqip Priza.al/