“Ta rikthejmë Arsimin brenda shinave të dijes”, Meta propozon 7 pika kryesore!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë tryezës për Arsimit ka prezantuar 7 propozimet e grupit të ekspertëve që sipas tij “për ta rikthyer brenda një kohe të shkurtër arsimin në shinat e dijes”.

Ish-Presidenti kërkon që financimi i arsimit të jetë në nivelin e 5% të buxhetit të shtetit, ndërkohë që aktualisht është 2.29%.

“Niveli i pagave të mësuesve në piramidën e pagave të miratohet me ligj me shumicë të cilësuar”, thekson më tej Meta, po ashtu edhe ligjet për arsimin të miratohen në parlament vetëm me 3/5-tat.

“Për të realizuar të gjitha këto nevoja, po paraqes edhe 7 propozime konkrete dhe plotësisht të realizueshme, të hartuara nga një grup ekspertësh, pedagogësh dhe mësuesish të nderuar, me qëllim për t’a rikthyer brenda një kohe të shkurtër arsimin në shinat e dijes:

  1. Kuvendi të miratojë sa më parë një ligj për nivelin dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në nivelin 5% të PBB. Aktualisht, buxheti i vitit 2024 financon në vlerën 2.29% e PBB, më i ulëti në rajon dhe i pamjaftueshëm për të adresuar problemet e shumta të arsimit, që kanë ardhur duke u shtuar. Me buxhetin e duhur dhe mund ta nxjerrim arsimin shqiptar nga gremina ku ka rënë.
  2. Niveli i pagave të mësuesve në piramidën e pagave të miratohet me ligj me shumicë të cilësuar.

Nuk mjafton një maxhorancë e thjeshtë për vendime kaq të rëndësishme që prekin direkt të ardhmen e arsimit dhe rrjedhimisht edhe të vendit.

  1. Kuvendi të vendosë nivel dysheme për financimin e inovacionit. Aktualisht, inovacioni në Shqipëri financohet në masën 0.05% e PBB, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 2.2%. Rritja e financimit është hapi i parë konkret në këtë drejtim, ku deri tani ka vepruar vetëm propaganda boshe.

4.Ligjet kryesore të arsimit të miratohen me shumicë të cilësuar në Parlament. Gjithashtu me shumicë të cilësuar duhet të miratohen edhe strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat, dhe politikat arsimore. Për vendime kaq jetike për vendin është e domosdoshme dakordësia e të gjithëve.

  1. Mësuesia dhe shkenca duhet të konsiderohen degë prioritare. Si rrjedhojë, ato duhen trajtuar me iniciativa dhe praktika që nxisin motivimin e studentëve. Për shkak të braktisjes së këtyre degëve sot, rrezikojmë që në pak vite të mbetemi pa mësues.
  2. Investime prioritare në degët e teknologjisë së informacionit. Ky sektor që është kthyer në sfidë të kohës kërkon përgatitjen e profesionistëve të zotë.
  3. Arsimi Profesional duhet të jetë domosdoshmërisht në varësi të Ministrisë së Arsimit. Lidhur me domosdoshmërinë e reformimit të tij, duhen studime të thelluara tregu mbi kërkesën dhe nevojën që ka sot vendi. Duhen hartuar strategji të reja që harmonizojnë kërkesat e një tregu gjithnjë në zhvillim me profesionistët që përgatisin këto shkolla. Me prioritet duhen parë degët si: elektroauto, mekanik, elektricist, teknik të pajisjeve teknologjike, turizëm dhe shërbime. Aktualisht, shkollat profesionale nuk përgatisin të rinj të aftë për të hyrë pas studimeve direkt në tregun e punës”, ka bërë me dije Ilir Meta.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *