Tirana mban Presidencën e B-40, Veliaj: Sot jemi kthyer në një model të transformimit, etalon se si mund të ndryshojnë hapësirat urbane!

Nga sot, Tirana merr drejtimin e Presidencës së B-40, që është rrjeti më i madh i bashkive në rajonin tonë. Përmes një videomesazhi, kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet se këtë vit Tirana do të jetë shtëpia e madhe e gjithë bashkive të Ballkanit.

“Fillon nga bashkia e Stambollit e Ankarasë deri në bashkitë e Lubjanës, Sofjes, Bukureshtit dhe gjithë bashkitë në mes. Praktikisht është gjithë Europa Lindore, ose si themi ne, lagjja jonë. Më vjen mirë që këtë vit Tirana ka kryesinë e B40. Vitin e parë ishte Stambolli. Vitin e dytë, vjet ishte Athina. Këtë vit Tirana do të jetë shtëpia e madhe e gjithë bashkive të Ballkanit”, deklaron ai.

Veliaj nënvizon se Tirana sot është kthyer në një model të transformimit.

“Të transformimit që filloi me Edi Ramën si kryeministër me transformimin e qytetit dhe sot është kthyer në një etalon se si mund të ndryshojnë hapësirat urbane. Ka shumë kuriozitet nga bashkitë e tjera se si po funksionon përgatitja për punët e së ardhmes, gjithë këto aftësitë dixhitale, si funksionon Piramida, si funksionon TUMO dhe cilat janë punët e së ardhmes në të cilat po investohet Tirana? Shumë prej tyre janë kurioz se si Tirana arrin që të tërheqë kaq shumë turistë dhe arrin që të krijojë hapësira ku turistët mund të kalojnë kohë, edhe të mësojnë, por sigurisht edhe të shpenzojnë dhe të prodhojnë ekonomi për qytetin”, thekson kryebashkiaku.

Ai shton se ka shumë dëshirë dhe interes për të bashkëpunuar në projekte europiane.

“Fjala vjen, aftësia e Tiranës për të qenë një vit Kryeqyteti Europian i Rinisë, vitin tjetër Qyteti Europian i Sportit, vitin që vjen Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, janë mënyra, janë grepa sesi ti tërheq vëmendjen, tërheq financa dhe tërheq më shumë turistë dhe më shumë aktivitete. Ndaj dhe shpresoj shumë që Tirana do kthehet në një mësimore, në një hapësirë, për të nxënë, për të kuptuar sesi në kohë rekord ne mund të bëjmë transformime që përpara dukeshin të pamundura”, deklaron Veliaj.

Pas Presidencës 12-mujore të B40, Tirana do të marrë titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.

“Titulli përmban dy qytete, një qytet në Mesdheun verior dhe një qytet tjetër në Mesdheun jugor. Do të jetë qyteti i Aleksandrisë së Egjiptit qytetit ynë binjak. Le të themi, Mesdheu nuk po kalon kohët më të mira, me atë që po ndodh në Izrael e në rripin e Gazës, me shumë emigracion që vjen nga Afrika, por dhe brenda për brenda Europës, me shumë lëvizje populiste dhe fryma ksenofobe, unë besoj që Tirana ka shumë për të ofruar, se çfarë është bashkëjetesa, sesi ne mund të kemi fe të ndryshme, bindje të ndryshme, por jetojmë si një komunitet e si një familje e mbarë. Ndaj, dhe mezi pres që ta dalim me sukses për B40-ën, ta ngremë akoma sa më lart emrin e Tiranës e pastaj të jemi një shtëpi e madhe e hapur për gjithë Mesdheun, përtej Ballkanit për Tiranën Krryeqytetin Mesdhetar të Kulturës”, shprehet Veliaj

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *