Një komentues me emrin Smajl ka ndërhyrë në emisionin e fundit të moderatorit analist Ylli Rakipi duke bërë një shënim që ngjalli habi tek të tjerët. Komentuesi i përmend moderatorit një atentat me tritol por nuk jep shumë shpjegime.
Për çfarë është fjala?
Ka qenë një mesazh në rrjete sociale i ish-truprojes së Sali Berishës, Izet Haxhia që e ka trazuar këtë rast, disa vite më parë. Haxhiaj dhe Rakipi kanë qenë të dy, njerëz të afërt të Berishës kur ky ishte në pushtet. Rakipi drejtonte asokohe, gazetën Albania e njohur për afrimitetin me Berishën. Haxhia bën akuzën e rëndë se ai dhe Rakipi janë autorët e vendosjes së një bombe ndaj ish-deputetit socialist Lush Përpali. Kjo ngjarje e njohur e atyre viteve, mbeti e pazbardhur.
Postimi në Facebook i Izet Haxhisë:
“Dëgjova një intervistë të Ylli Rakipit, ku ai tha që unë i kisha përmendur emrin atij dhe shprehte habinë…
Si duket Ylli “harron”, ngaqë ka ndryshuar shumë padronë politikanë që u shërben sipas ndërrimit të pushtetit. Po edhe konsumimi i tepërt i alkoolit ka bërë të vetën në kujtesën e tij.
Po t’i kujtoj këto raste o Ylli.
Rasti i parë është vendosja e bombës tek kioska e Lush Përpalit. Ka qenë dita kur ti Ylli do ikje në Turqi për të marrë ndihma për gazetën tënde të partisë tek miqtë e Berishës. Para se të niseshe kemi folur për vendosjen e kësaj bombe, kuptohet me porosi të ‘marshallit’ dhe të kam thënë që sa do zbresësh në Turqi kjo punë është e mbaruar. Dhe e vërteta është se pa zbritur ti akoma në aeroportin e Stambollit, bomba është vendosur dhe i pari që ke marrë lajmin në tel. ke qenë Ti apo ke harruar?
Mos më thuaj që kur zbrite në Stamboll nuk të pritën aty Miri i Xhikes me Ylli Kelmendin, me porosinë time kuptohet. Apo edhe këtë e ke harruar? Po atë ditë unë kam bërë një takım me kokat e krimit për t’i tërhequr ata në krahun e partisë time dhe tëndes njëkohësisht, PD, në fushatën që po afronte. Ka qenë porosia e marshallit edhe për këtë takım. Porosia më është përcjellur me insistim nga juve. Edhe këtë duhet ta kesh harruar…
S’ka gjë Ylli, po të kujtoj një rast tjetër.
A të kujtohet një rast tjetër, kemi qenë në mitingun e PD në Elbasan. Ishte vendosur bomba tek fondacioni Soros të cilin ti nuk e doje fare sepse nuk të ushqente me ndihmat bujare që u jepte armiqve të tu në atë kohë… Më the që çunat e Saliut, e kishe fjalën për Salı Shehun dhe jo për marshall Saliun, ja vunë bombën Sorosit se ashtu të kishte thënë Sali komisari ty. Në atë kohë puna vlerësohej me sa më shumë akte terroriste që bëje kundër ‘armikut’ të kuq. Qesha dhe thashë që Saliu e bën këtë se e don partinë tonë.
Apo ke harruar edhe kur më the që duhet t’i mbushim mendjen marshallit ta marrë Azemin në fushatën elektorale, të cilin e kishe shok të pijes në Rogner. Nuk më habit kjo ‘harresë’ e jotja o Ylli i dikurshëm i Mehmet Elezit. Apo edhe këtë e ke harruar? Që eminenca gri e Berishës të sugjeroi ty dhe vëllain tek marshalli dhe filloi karriera e jote e ndritshme në media.
Duhet të kesh harruar edhe miqësinë tënde me Gazideden, kur vije së bashku me të tek Vila Katër për të takuar marshallin në orët e vona të natës. Ke harruar që e ktheve gazetën tënde të financuar me paret e kontrabandës së naftës me Serbinë, apo paret e shqiptarëve të shkretë të futura në firmat piramidale pronarin e njërës prej të cilave ti e kishe mik, e kam fjalën për kapterrin Vehbi Alimuça.
Dëgjo ore Ylli, ti nuk ke as moralin, as integritetin as pastërtinë të vlerësosh ato që kam rrëfyer unë; tı je një pjesë e asaj medias që ka mashtruar e po mashtron për 25 vite këtë popull të mjerë duke u majmur me paratë e gjakut të tij…”, shkruan ndër të tjera Izet Haxhia.