Me akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po tenton ta bëjë kokë turku për të fshehur të vërtetat sipas tij “të llahtarshme” wshtw shprehur ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Drejtësisë shqiptare, u shfaq për herë të parë publikisht, mbrëmjen e së enjtes, në një intervistë të gjatë në televizionin SyriTV.
Pa ofruar fakte apo prova të reja, por kryesisht bazuar në interpretime, ai foli për një prapavijë politike në veprimet e Prokurorisë së Posaçme e cila sipas tij ka ngritur një çështje mbi supozime. Për herë të parë pranoi miqësinë e ngushtë me Mirel Mërtirin, emrin që sipas Prokurorisë qëndron pas tre impianteve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë.
Që kur në fillim të korrikut, Parlamentit ju kërkua autorizimi për arrestimin e tij, zoti Ahmetaj, ndodhet jashtë vendit. Ai la të kuptohej se nuk jetonte i fshehur në shtetin ku po qëndron aktualisht e se kishte marrë një status zyrtar nga autoritetet e atij vendi, me gjasë të drejtën e azilit. “Nga 1 Janari jetoj në një shtëpi në pronësi të bashkisë të atij qyteti ku jetoj zyrtarisht”, deklaroi ish zëvendëskryeministri.
Ai mohoi të ishte arratisur për t’i shpëtuar arrestimit. “Nuk jam arratisur. As më ka lejuar njeri të largohem dhe as më ka ndihmuar njeri. Në momentin që kam mësuar se kërkohej imuniteti im, ka qenë data 8 ose 9 korrik, kam qenë jashtë Shqipërisë për pushime. Refuzova të kthehesha se e gjitha ishte orientuar me frymëzim politik” tha zoti Ahmetaj. Në fakt, Parlamenti bëri publik mbërritjen e kërkesës së Prokurorisë për autorizim për arrestimin e tij të hënën e 10 korrikut. Ndërsa shkresa zyrtare e Prokurorisë së Posaçme daton më 7 korrik, ditën që zoti Ahmetaj, kaloi përmes kufirit tokësor në Greqi. Ndërsa më 14 korrik, avokatët e tij do të deklaronin se ai ndodhej në Angli “pranë familjes së tij” dhe se do të kthehej “kur të ketë liri”.
Me jetëgjatësinë më të madhe në kabinetet e kryeministrit Rama që prej mandatit të tij të parë në vitin 2013, duke mbuluar poste të rëndësishme, zoti Ahmetaj tregoi se thyerja në raportet mes tyre e kishte zanafillën me herët se korriku i vitit 2022, kur ai u shkarkua nga detyra e numrit 2 të qeverisë. Ai nuk dha ndonjë shpjegim se përse kishin ndryshuar marrëdhëniet mes tyre. Sipas tij, në shkurt të atij viti, ai vetë i kishte kërkuar zotit Rama që të largohej pasi “marrëdhënia e besimit mes nesh ishte përmbysur”, porse se kjo kërkesë e tij nuk ishte pranuar.
Largimi i beftë nga qeveria, u pasua disa javë më vonë dhe me zhveshjen e tij nga postet në partinë socialiste., në një mbledhje të kryesisë që sipas tij ishte shoqëruar me tonë kërcënuese nga zoti Rama. Të gjitha lëvizje, të pasuara, siç u shpreh, dhe nga sulme mediatike të urdhëruara nga kryeministri, tha ai. Qëllimi sipas tij ishte “nxjerrja në pritë nga ish drejtuesi im politik” dhe se më pas prokurorët kishin nxituar që t’i dëshmonin kreut të qeverisë se “na e nxorre në pritë, dhe ne e vramë”.
Në mars të vitit të shkuar, u mësua se Prokuroria e Posaçme e kishte vënë nën hetim për të paktën 4 vepra penale nga “shpërdorim detyre” te “mosdeklarimi i pasurisë”, “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”. Ndërsa në dosjen dërguar në parlament ngriheshin dyshime për lidhje me sipërmarrësit e inceneratorëve, përfitime financiare, dhe ndikim për të favorizuar procedurat e koncensioneve. Po ashtu prokuroria vinte në dukje transaksione financiare me shitje-blerje pasurish të patundshme, të shtrira ndër vite, e pas të cilave qëndronin dy sipërmarrësit e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.