Emergjencat, Agjencia: Duhet reagim dhe përgatitje e të gjithë hallkave për fatkeqësitë natyrore!

Emergjencat civile dhe mënyra sesi janë përballuar, në disa raste, fatkeqësitë në vendin tonë, kanë vënë në diskutim nëse do të jemi gati në të papriturën e radhës. Por Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ish-Emergjenca Civile tashmë e ristrukturuar prej disa vitesh pranon në një intervistë për “Monitor” se të qenët gati është një punë në vijim. Kjo do të thotë se ndërkohë që kuadri ligjor i nevojshëm vazhdon të plotësohet, pasi ende ka akte që duhet të përafrohen apo përmirësohen, puna në terren për investime në funksion të zbutjes së efekteve vijon.

Ajo që duket se do të dojë edhe më shumë kohë për t’u përmirësuar është reagimi dhe përgatitja e të gjithë hallkave dhe sidomos, njësive vendore. Këto të fundit kanë mangësi mbi planet e tyre të reagimit, por edhe staf të kufizuar.

Ministria e Mbrojtjes, gjatë vitit 2022-2023, nxori për konsultim disa dokumente të rëndësishme të lidhura me emergjencat civile dhe vlerësimin e rrezikut nga fatkeqësitë, si dhe strategjinë për zvogëlimin e riskut 2023-2030? A kemi të plotësuar me këto dokumente kuadrin ligjor të nevojshëm që lidhet me përballueshmërinë më të mirë të emergjencave?

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka realizuar hartimin e paketës së 3 dokumenteve bazë të misionit të Mbrojtjes Civile: “Vlerësimi i Riskut nga Fatkeqësitë në nivel qendror”, miratuar me VKM nr.168, më datë 24.03.2023, “Strategjia Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë (SKZRF 2023-2030)”, miratuar me VKM nr. 94, datë 22.02.2023 dhe Plani Kombëtar për Emergjencat Civile (i cili pritet të miratohet brenda këtij muaji). Këto dokumente plotësojnë kuadrin ligjor të nevojshëm, pasi përmbajnë ekspertizë teknike (vendase dhe ndërkombëtare) të bazuar mbi: të dhëna reale zyrtare, të verifikuara të institucioneve qendrore dhe rajonale, kërkime shkencore dhe fakte të vërtetuara mbi nivelin e riskut dhe rrezikshmërisë së fenomeneve në vendin tonë. Hartimi i këtyre dokumenteve ka siguruar misionin e mbrojtjes civile: për të zvogëluar rreziqet e fatkeqësive, për të parandaluar, përgatitur, për të përballuar fatkeqësitë dhe për t’u rimëkëmbur, nëpërmjet një sistemi të integruar dhe efikas.

Cilat janë rreziqet më të mëdha me të cilat përballet vendi sipas dokumenteve dhe a ka ndërgjegjësim dhe edukim në aspektin e reagimit si nga institucionet, ashtu edhe të vetë qytetarëve?

Rreziqet kryesore ndaj të cilave vendi ynë është i ekspozuar, bazuar në Ligjin 45/2019 dhe dokumentin e “Vlerësimi i Riskut nga Fatkeqësitë në nivel qendror” listohen si më poshtë:

  1. Përmbytjet, vërshimet e ujit dhe çarjet e digave;
  2. Zjarret në pyje;
  3. Aksidentet teknologjike
  4. Tërmetet
  5. Sëmundjet infektive;
  6. Rrëshqitje e tokës, reshjet e dëborës dhe ortekët.

Për të arritur qëllimin e ndërgjegjësimit dhe edukimit të misionit të mbrojtjes civile, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka ndërmarrë një sërë programesh, me fokus mbështetjen teknike për fuqizimin e kapaciteteve lokale të mbrojtjes civile në të gjithë vendin, aktivitete ndërgjegjësuese me komunitetin në disa bashki, me sistemin arsimor 9-vjeçar, me disa universitete përmes leksioneve të hapura etj. Gjithashtu, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë traditë 13 Tetorin – Dita Ndërkombëtare e Zvogëlimit të Riskut, ku çdo vit zhvillohen aktivitete sensibilizuese dhe informuese në të gjithë vendin, konkurse në shkolla etj. Sa i përket ndërgjegjësimit të qytetarëve, po planifikohen fushata në kuadër të misionit të mbrojtjes civile, si dhe implementimi i Programit të Trajnimit të Mbrojtjes Civile me struktura të ndryshme të sistemit operacional të mbrojtjes civile, si Forcat e Armatosura, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Policia e Shtetit, Urgjenca mjekësore, grupe vullnetare.

Ndryshimet klimatike janë të dukshme edhe në vendin tonë me fenomene që po përsëriten vit pas viti. Si e gjejnë veten të reflektuar këto ndryshime në perceptimin e rrezikut dhe masat e marra apo përgatitjet për të minimizuar efektet? (Referohu SKZRF 2023-2030)

Marrëveshja e Parisit dhe Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm (përfshirë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm) theksojnë rëndësinë e përshtatjes klimatike dhe zvogëlimit të riskut të fatkeqësive. UNDRR thekson se, nëse duam të zvogëlojmë riskun, ne gjithashtu duhet të bashkohemi në qasjet tona dhe duhet të përfshijmë të gjithë sektorët përkatës, të bashkëpunojmë brenda institucioneve dhe të sigurojmë harmoni nga politika në aktivitet. Nevoja për koherencë midis Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike (PNK) dhe ZRF është identifikuar nga OZHQ-të në nivel global dhe nga BE-ja në nivel rajonal. Gjetjet dhe raportet ekzistuese të PNK-së që vijnë nga burime të ndryshme, të cilat flasin për kushtet e qëndrueshme të temperaturave të larta dhe reshjeve të ulëta, ndryshimin e modeleve dhe shpeshtësinë e situatave që shkaktojnë përmbytje të shpejta dhe rrëshqitje të tokës, ndër të tjera, nuk kontestohen nga sektori i ZRF.

Duke e njohur këtë, Shqipëria vendosi të zhvillojë praktikat duke lidhur të gjitha strategjitë përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare në një qëllim të përbashkët – të zvogëlojë humbjet nga fatkeqësitë dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm. Marrja në konsideratë e ndryshimeve klimatike ka ndikuar drejtpërdrejt dokumentin e Vlerësimit të Riskut nëpërmjet: simulimit të skenarëve më afatgjatë për matjen e riskut apo rivlerësimit të koeficientëve në sistemin e pikëzimit që rankojnë riskun. Ky ndikim është dhënë nga faktorët kryesorë: temperatura, reshjet dhe rritja e nivelit të detit (SLR). Për shembull: Ndryshimet e parashikuara në modelet e reshjeve gjatë muajve të dimrit, vjeshtës dhe pranverës rrisin rrezikun e përmbytjeve të lumenjve. Masat e marra janë reflektuar në dokumentin e Strategjisë Kombëtare ZRF, duke kushtëzuar fushat e ndërhyrjes dhe zbatimit nëpërmjet: Menaxhimit të riskut ekzistues dhe parandalimit për rreziqet e reja dhe Forcimit të kapaciteteve të përgjigjes. Konkretisht në 60 projektet e Planit të Veprimit për ZRF për Shqipërinë 2023 – 2030.

 

 

Agjencia për Mbrojtjen Civile, një ent kyç në aspektin e reagimit, u riorganizua disa vite më parë. A janë përfunduar të gjithë aktet nënligjore të nevojshme dhe a është përmirësuar aspekti teknik dhe material që mundëson reagim më të mirë të saj në rast emergjencash?

Krijimi i AKMC, si institucion, ka vënë në përgjegjësi të plotë të gjitha njësitë e saj përbërëse, duke siguruar bashkëpunimin funksional. Bashkërendimi i proceseve të punës në bazë të hierarkisë institucionale, ka sjellë përmbushjen e detyrave dhe qëllimeve. Sa u përket akteve nënligjore janë miratuar deri tani 19 të tilla, të cilat kanë vënë në funksion përmbushjen e detyrimeve ndërinstitucionale dhe garantojnë fuqizimin e sistemit. Ndërkohë, janë në proces hartimi dhe rishikimi disa akte nënligjore, si numri i unifikuar 112 i emergjencave civile, për krijimin e rrjetit vullnetar, mbi kriteret e sistemeve TESTA dhe CECIS të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, mbi infrastrukturën kritike nga institucionet përgjegjëse.

Çfarë investimesh janë bërë në lidhje me një reagim më të mirë në rastet e emergjencave?

Në kuadër të politikës kombëtare të parandalimit dhe zvogëlimit të rrezikut nga fatkeqësitë, duke menaxhuar në nivel rajonal dhe vendor fatkeqësitë natyrore, përmes investimeve publike dhe private në marrjen e masave strukturore dhe jostrukturore, gjatë vitit 2022-2023, janë investuar dhe shpallur fituese projektet si më poshtë vijon:

Për vitin 2022

Referuar nenit 15 të ligjit 115/ 2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, është alokuar fondi në zërin shpenzime kapitale në programin, “Emergjencat civile” të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili është përdorur sipas kritereve në aneksin 6, “Fondi për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore”, dhe është shpërndarë në projektet e shpallura fituese si më poshtë vijon:

  1. “Mbrojtje nga gërryerjet e lumit Osum në zonën e Dafinave”, Bashkia e Dimalit.
  2. “Rehabilitimi i rezervuarve e përrenjve që ndodhen në territorin e Bashkisë së Divjakës”.
  3. “Rikonstruksioni i argjinaturës për mbrojtjen nga lumi Vjosa, zona Kafaraj-Çerven (Bankina e Degës së Martinës Prog. 4668 ml-prog. 6000 ml L=1332 ml)”, Bashkia e Fierit.
  4. “Mbrojtje lumore në lumin Pavëll pranë Urës së Bogazit”, Bashkia e Konispolit.
  5. “Ndërhyrje për shmangien e përmbytjeve dhe erozionit” në Bashkinë e Korçës.
  6. “Ndërhyrje me pilota në rrugën Ballagat-Hysgjokaj”, Bashkia e Lushnjës.
  7. “Mur me pilota në rrugën “Vëllezërit Frashëri” L=50 ml; Rehabilitimi i kanalit të ujërave të larta dhe ndërtim i murit mbajtës përgjatë pallateve”, Bashkia e Lushnjës.
  8. “Ndërtim ura Pojate e Poshtme, Tamarë”, Bashkia e Malësisë së Madhe.
  9. “Ndërtim stacion pompimi Vreshtas + Linja”, Bashkia e Maliqit.
  10. “Ndërtim i pritave lumore dhe përforcim i këmbëve të urës në shtratin e lumit Shkumbin”, Bashkia e Peqinit.
  11. “Rehabilitimi i kanalit (përroit) në fshatin Pustec”, Bashkia e Pustecit.
  12. “Ndërhyrje emergjente në fshatin Ngjeqar, Njësia Administrative Kurjan”, Bashkia e Roskovecit.
  13. “Mur mbajtës përgjatë lumit Osum tek ish-Kantieri i N.SH.N”, Bashkia e Skraparit.

Për vitin 2023

Bazuar në Ligjin 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”, neni 15 i ligjit 84 / 2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, aneksi 6 “Fondi për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore”, është realizuar shpërndarja e fondit të akorduar sipas përcaktimeve të aneksit për 30 projektet e shpallura fituese si më poshtë vijon:

  1. “Zhbllokim i shkarkuesve dhe kanal ujëmbledhës”, Bashkia e Maliqit
  2. “Rikonstruksion i kanalit kryesor, përroi i Lingajces nga rruga e fushës deri te lagjja e Hallidrit, fshati Rrajcë, Nj. A Rrajcë”, Bashkia e Përrenjasit.
  3. “Sistemimi i shtratit të përroit në Goricë e Madhe për mbrojtjen e fshatit nga përmbytja”, Bashkia e Pustecit.
  4. “Punime për rehabilitimin e shkarkuesit, rezervuari Vrijon dhe Sistemim i përroit lagja nr. 3, Kovaçë, Krujë”, Bashkia e Krujës.
  5. “Rehabilitim dhe veshje me beton, Kanali Drenovë, Ndërtim tombino BOX 2X (5×3 m), fshati Gurmujas dhe Rikonstruksion i rrugës auto pyjore Denas”, Bashkia e Korçës.
  6. “Reduktimi i pasojave të përmbytjes në zonën e Nënshkodrës”, Bashkia e Shkodrës.
  7. “Mbrojtje nga përroi Jezull në fshtin Jezull, Rrëshen”, Bashkia e Mirditës.
  8. “Rehabilitim, përforcim, tre Ura Rruga Ngjec-Pec, Nj. A Golaj dhe Rehabilitim kënetës dhe bazamentit i kanalit të betonit, përroi Tërshenes”, Bashkia e Hasit.
  9. “Rikonstruksion urë pasarel në fshatin Rreth-Bazë, NJ. A Bazë”, Bashkia e Matit.
  10. “Rindërtimi i mureve mbajtës të shesheve të pallateve në Qytetin Fushë-Arrëz”, Bashkia e Fushë-Arrëzit.
  11. “Rehabilitimi i digës së urës së Pcemit”, Bashkia e Përmetit.
  12. “Mbrojtje nga ujërat e larta dhe sistemimi i përroit të SMT”, Bashkia e Devollit.
  13. “Rezervuar i Gjonçit, Prita malore në fshatrat Mësiçkë, Taç Poshtë”, Bashkia e Kolonjës.
  14. “Ndërtim i urës tip bailey, përroi i Çumes (Dushit), në rrugën automobilistike Kurad-Grabova NJA Lënie”, Bashkia e Gramshit.
  15. “Mbrojtje lumore gjatësore nga lumi Osum, fshati Mbrakull, Poliçan”, Bashkia e Poliçanit.
  16. “Rehabilitim i urave në fshatrat gështenjë, Orgjost”, Bashkia e Kukësit.
  17. “Sistemim i lumit të Buçimasit dhe rehabilitim i infrastrukturës rrugore përgjatë tij Loti-I”, Bashkia e Pogradecit.
  18. “Ndërtim ura të reja, rikonstruksion ura e vepra ujitëse”, Bashkia e Tropojës.
  19. “Përforcim terreni nga rrëshqitja në zonën e NJ. A Nr. 2, Nr. 4, Ishëm”, Bashkia e Durrësit.
  20. “Ura lidhëse për fshatrat Vermosh-Velan-Velipojë”, Bashkia e Malësisë së Madhe.
  21. “Ndërtimi i rrjetit të hidrantëve për Krastën”, Bashkia e Elbasanit.
  22. “Ura auto në fshatin Plan”, Bashkia e Pukës.
  23. “Trajtim rrëshqitje rrugë në fshatin Peshkëpi”, Bashkia e Selenicës.
  24. “Rehabilitim emergjent i përroit të Gjerozes te Fresku L=620 m”, Bashkia e Tiranës.
  25. “Mbrojtje nga gërryerja e rrugës kryesore në përroin e Lumasit, Krahu i majtë pranë Urës së Lumasit, ndërtimi i tre urave në përroin e Saraselasit, Belesovës dhe Mendrakes, si dhe ndërtimi i rrugës lidhëse”, Bashkia e Kuçovës.
  26. “Mbrojtja nga përroi i Selosë, Dropull, Faza I”, Bashkia e Dropullit.
  27. “Mbrojtje lumore në fshatin Arrëz”, Bashkia e Dimalit
  28. “Ndërhyrje për sigurinë e rezervuarit të Ngjeqarit”, Bashkia e Roskovecit.
  29. “Masa inxhinierike për stabilizimin e rrëshqitjes së masës në kodrën e Cfakës, pranë rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë, loti 2”, Bashkia e Gjirokastrës.
  30. “Ndërtim Urë Beton-Arme 4*17 m mbi Lumin Mat, në fshatin Dom, Nj. A Gurrë, Klos”, Bashkia e Klosit.

Një rol të rëndësishëm në aspektin e reagimit në rast emergjencash merr edhe pushteti vendor. A ka sot një koordinim më të mirë mes hallkave institucionale në këtë aspekt dhe a po punohet konkretisht në ndonjë drejtim për të përmirësuar këtë?

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka ngritur mekanizmat e ofrimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes teknike maksimale për strukturat e pushtetit vendor konkretisht, nëpërmjet organizimit të takimeve, tryezave teknike të punës, proceseve të inspektimit dhe raportimit në kuadër të Mbrojtjes Civile. Këto dhe aktivitete të ngjashme e kanë sjellë stafin e AKMC më afër njohjes së problematikave në nivel vendor dhe ofrimit të mbështetjes për zgjidhjen e tyre. Shkëmbimi i informacionit dhe gatishmëria nga njësitë përbërëse të AKMC në raport me strukturat e qeverisjes vendore ka lehtësuar përmbushjen e proceseve të punës dhe po sjell koordinim më eficient edhe në drejtim të krijimit të bazës së të dhënave të humbjeve nga fatkeqësitë. Paralelisht me proceset e planifikimit strategjik, ne po rrisim gjithashtu kapacitetet tona të përgjigjes, duke modernizuar dhe duke forcuar kapacitetet për shërbimin tonë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Një sërë projektesh me fokus forcimin operacional do të fillojnë zbatimin gjatë këtij viti.

AKMC ka si detyrim edhe inspektimin në institucionet shtetërore sa i takon përmbushjes së detyrimeve që lidhen me mbrojtjen civile. Çfarë konstatohet nga këto inspektime?

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka realizuar me sukses programin e inspektimit për periudhën shkurt-korrik 2023. (intervista i takon muajit nëntor 2023). Ky program ka pasur një qëllim të rëndësishëm: Të sigurojë që strukturat në fushën e mbrojtjes civile, si strukturat qendrore, vendore dhe private, të zbatojnë detyrimet ligjore (Ligji nr.45/2019 për Mbrojtjen Civile) me përgjegjësi për përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive për të garantuar mbrojtjen nga fatkeqësitë.

Përfaqësuesit kanë kryer inspektim të hollësishëm dhe të përpiktë te subjektet për të verifikuar përputhjen me standardet dhe procedurat e duhura. Në raste kur është zbuluar mosfunksionimi i përgjegjësive administrative, janë ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar situatën. Në përmbledhje të informacionit sa më sipër, rezultati i këtij programi është:

Nga 46 inspektime dhe kontrolle (shkurt – korrik 2023) kryer në:

  • 3 struktura qendrore
  • 17 struktura vendore
  • 6 subjekte private

Mangësitë kryesore të konstatuara janë mungesa e planeve operacionale në rastin e një emergjence, mungesa e stafit të posaçëm dhe të specializuar në menaxhimin e riskut të fatkeqësive, mosrespektimi i detyrimit ligjor mbi planifikimin buxhetor të fondeve të mbrojtjes civile etj./monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *