Në ditën kur hynë në fuqi tarifat e reja për patentat të miratuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, autoshkollat kundërshtuan vendimin duke protestuar. Në të gjithë vendin ata bojkotuan mësimin këtë të hënë, duke deklaruar se vendimi cenon qytetarët sepse do të paguajnë më shtrenjtë jo vetëm ata që regjistrohen pas datës 5 shkurt, por edhe ata që janë regjistruar para se të ndryshonin tarifat.
“Mënjanimi dhe mosiforimimui në kohën e duhur nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor na ndikon në punën tonë të autoshkollave”, thotë Agron Beja, kryetar i shoqatës së autoshkollave.
“Ky ndryshim është bërë në mënyrë tinëzare, pa marrë asnjë mendim nga grupet e interesit. Na ka ardhur 2 ditë më parë lajmi për tarifat e reja. Këto janë në kurriz të qytetarëve. Është afërsisht 150 mijë lekë shtesë. Nuk afrohet qytetari, na cenon punën”, thotë Alim Lulaj, kryetar i shoqatës së autoshkollave në Elbasan.
“Kemi një problem, si mund të lajmërojmë ata që janë regjistruar për tarifat e reja të hyra në fuqi?”
Nëse deri të shtunën nuk marrin një përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, autoshkollat paralajmërojnë përshkallëzim të protestës.