Ditën e sotme (7 shkurt) mbahet seanca e rradhës për masakrën e Gërdecit në Gjykatën e Posaçme ku është paraqitur rreth orës 09:00 të mëngjesit ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu së bashku me avokatin e tij.
Në seancën e sotme gjyqësore në listën e dëshmitarëve është edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha i cili ndodhet në Amerikë dhe ende nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm në seancë. Hoxha në një bisedë që ka pasur me ambasadorin amerikan në Tiranë asokohe i ka zbuluar këtij të fundit se të gjitha urdhrat për procesin i ka dhënë Fatmir Mediu i cili sipas tij ka ndjekur çdo gjë me detaje. Ndërsa më tej, siç zbuloi kallbogrami sekret, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, e ka kërcënuar Hoxhën duke i kërkuar të vijonte me dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec. Ndërsa më 24 janar, për masakrën e Gërdecit radha për të dëshmuar ishte e zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtarakë të cilët përcaktuan Gërdecin si vendin ku kryhej demontimi i municioneve.
Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2008, i dënuar për Gërdecin me 3 vite burg, – i pyetur për vendimin 550 të ministrit të Mbrojtjes mbi caktimin e vendit, edhe pse i pasigurtë fajin e kaloi te uniformat ushtarake, duke ia hequr këtë përgjegjësi ish shefit të tij Fatmir Mediu.