Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur gjyqtaren Arnisa Këlliçi, për veprat penale: kallëzim i rremë dhe falsifikim të dokumenteve.
Kjo pasi sipas prokurorisë, gjyqtarja mori mbrojtje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor përmes një kallëzimit të rremë, duke pretenduar se ishte kërcënuar me jetë.
Pas hetimeve, prokuroria bën me dije se letra kërcënuese është shkruar nga vetë gjyqtarja: “Për këtë letër nuk ka asnjë të dhënë tjetër apo dyshime, por është ndjerë e trembur, sepse janë përdorur emrat e fëmijëve të saj. Nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimentale, këqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesi”.