Policia ka dhënë njoftim zyrtar në lidhje me grabitjen e ndodhur ditën e sotme në një dyqan celularësh në Tiranë.
Teksa ka publikuar foton e autorit të veshur me xhup të kuq, me maskë të zezë në fytyrë dhe një pistoletë, ka bërë me dije se Policia e Shtetit jep 5 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 09.02.2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Myslym Shyri”, një person me maskë të zezë dhe me një xhup të kuq, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri pistoletë, ka marrë disa aparate celular në dyqanin e shtetasit M. F., dhe më pas është larguar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje. DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118 duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.