Pak ditë më parë autoritetet spanjolle dhe ato ekuadoriane organizuan një operacion të përbashkët kundër mafies shqiptare, duke arrestuar 30 persona në tentativë për të futur në Evropë rreth 3 tonë kokainë. Sot (9 shkurt) në Spanjë kanë dalë para gjykatës 11 të arrestuar, ku 8 prej të cilëve janë lënë në burg. Sipas autoriteteve spanjolle 3 të arrestuarit e tjerë në Spanjë për trafik droge, organizatë kriminale dhe pastrim parash, u lanë të lirë me masa paraprake “detyrim paraqitke”, “heqje të pasaportës” dhe “ndalim për të dalë jashtë Spanjës”.
Gjykatësi spanjoll pranoi gjithashtu të kërkojë ekstradimin e dy të arrestuarve të tjerë, njëri nga Ekuadori dhe tjetri nga Mbretëria e Bashkuar. Tridhjetë të arrestuarit akuzohen për futjen dhe shpërndarjen e ngarkesave të mëdha të kokainës në Evropë nga Amerika e Jugut nëpërmjet detit, si dhe investimin në Spanjë të fitimeve të paligjshme nga shitja e drogës. Të gjithë ata u arrestuan si anëtarë të dyshuar të një rrjeti kriminal, të cilin Policia Kombëtare e Ekuadorit ia atribuon mafies shqiptare, me bazë kryesisht në Malaga të Spanjës dhe Guayaquil në Ekuador. Nga hetimi rezulton se organizata, tashmë e shkatërruar kishte përvojë të gjerë në futjen e sasive të mëdha të kokainës në Evropë duke përdorur teknika inovative për t’i shpëtuar kontrolleve dhe për ta bërë këtë, ajo kishte një rrjet kompleks biznesi ndërkombëtar, me të cilin pastronte përfitimet.
Përveç arrestimeve, agjentët sekuestruan në Spanjë më shumë se 400,000 euro para në dorë dhe një sasi të madhe pasurish të paluajtshme me vlerë mbi 13 milionë euro , automjete dhe ora luksoze