“U ktheva i dehur dhe e qëllova me dy plumba”, kështu ka deklaruar 39-vjeçari shqiptar, Gentian Mino pasi vrau partneren e tij rumune, Jana Bajan.
Ka qenë vetë shqiptari i cili ka njoftuar policinë pas krimit dhe ka rrëfyer vrasjen e 29-vjeçares. Ai tha për hetuesit grekë se ishte kthyer në banesë në orët e vona të natës në gjendje të dehur dhe pasi kishte debatuar me partneren ka qëlluar me dy plumba në drejtim të saj. Një prej plumbave e qëlloi 29-vjeçaren në kokë. Raportohet se shqiptari e kishte pistoletën pa leje.
Çifti jetonte në një apartament në katin e 2-të, në rrugën Patroklou, në Kaminia të Kretës. Kur ambulanca dhe policia kanë shkuar në vendngjarje e kanë gjetur 29-vjeçaren të vdekur, pranë divanit në dhomën e ndenjes. Viktima kishte një plagë të shkaktuar me plumb pranë veshit. Arma e krimit u gjet në një tavolinë brenda shtëpisë dhe brenda saj kishte 3 gëzhoja.