Ndonëse çmimet e biletave të autobusit për linjat interurbane përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kishin mbetur të pandryshuara që nga 2007, operatorët vitet e fundit kanë zbatuar çmime më të shtrenjta se tarifat zyrtare. Tashmë qeveria ka ndryshuar çmimet zyrtare të biletave të autobusit për linjat ndërqytetëse, duke i rritur ato deri 40% më shumë krahasuar me tarifat e përcaktuara në vendimin e vitit 2007.
Në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare çmimet e reja për biletat e autobusit në linjat ndërqytetëse nisin nga 50 lekë për distancën 10 km deri në 1,450 lekë për distancën 330 km. Krahasuar me tarifat e përcaktuara në bazë të vendimit të 2007-s, çmimet e biletave të autobusit nga distanca prej 10 km deri në 300 km u rritën nga 43 deri 50%. /Por Shoqata e Transportit Ndërqytetës sqaron se udhëtarët e linjave me autobus nuk preken nga ndryshimet e çmimeve. Kryetari i Shoqatës Dashnor Memaj pohoi se nuk kemi të bëjmë me rritje çmimesh, por formalizim të tregut, pasi operatorët prej kohësh operojnë me çmimet e përcaktuara në vendimin e ri.
“Nuk kemi të bëjmë me rritje të tarifave, madje për disa itenerare çmimet e biletave janë më të ulëta. Çmimet në VKM e re janë zyrtarizmin i tarifave aktuale që aplikojnë operatorët e linjave ndërqytetëse. Pra kemi të bëjmë me formalizim të tregut dhe vënia në zbatim e pajisjeve të fiskalizimit që do të sistemojë tregun”, tha ai.
Tarifat e mëparshme të transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus ishin të përcaktuara në bazë të VKM nr.66 datë 7.2.2007, për disa ndryshime në tarifat e transportit të udhëtarëve.
Tashmë tarifat e transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus janë sipas përcaktimeve të vendimit të ri. Për zbatimin e tij ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe subjektet e licencuara për operim në linjat e rregullta të transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus për zbatimin e këtij vendimi./monitor