Kryetari i PD-së zyrtare Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me Komisionerin e Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Në këtë takim, ata diskutuan mbi disa prioritetet e PD-së, duke përfshirë Reformën Zgjedhore dhe luftën kundër korrupsionit.
Basha theksoi se për PD-në, të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve duhet të përballen me drejtësinë. PD është në anën e drejtësisë dhe SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit, duke synuar të shfuqizojë pandëshkueshmërinë në Shqipëri.
“Kënaqësi të bisedoja sot me Komisionerin e Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Diskutuam mbi prioritetet e Partia Demokratike e Shqipërisë, Reforma Zgjedhore dhe lufta kundër korrupsionit. Për PD kushdo që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve duhet të japë llogari para drejtësisë. Për këtë arsye PD është në krah të drejtësisë dhe SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
Përmes propozimeve për Reformën Zgjedhore PD synon t’i japë qytetarëve të drejtën t’i zgjedhin ata deputetët e tyre përmes listave të hapura. Barazia e votës përmes krijimit të një zone zgjedhore, votimi dhe numërimi elektronik dhe vota e diasporës janë të tjera propozime përmes të cilave ne synojmë t’i kthejmë besimin shqiptarëve tek zgjedhjet dhe t’i japim fuqi zërit të tyre”-shkruan Basha.