Të tronditur nga shpërthimi i një bombole oksigjeni që la dy të vdekur dhe 7 të plagosur, banorët e shtëpisë ngjitur zonës industriale ku ndodhi tragjedia në Lushnjë, kanë rrëfyer me lot në sy për momentet e tmerrit të cilat ende vërtiten në kujtesën e tyre duke i lënë pa bukë dhe gjumë. E zonja e shtëpisë u shpreh se në momentin e shpërthimit, nusja ishte duke larë nipin e vogël 10 ditësh. Si leone që është, nga tronditja e madhe ajo u zverdh në fytyrë.
E moshuara i kërkon ndihmë shtetit, duke theksuar se shtëpinë e kanë bërë me para emigracioni dhe kredi, dhe ende kursejnë të ardhura nga pensioni për të paguar detyrimet.
Roland Hoxha dhe i biri, Lidio ishin duke punuar në vinç ku me ndihmën e tij ngrinin 2 bombola oksigjeni me të cilat po kryenin saldime në pjesën e tarracës. Dyshohet se gjatë punës një bombol u shkëput nga vinçi dhe u përplas në tokë duke shkaktuar një shpërthim që shkatërroi gjithçka dhe mori jetën e të dyve.
Nga fuqia shpërthyese u shkëputën telat e tensionit të lartë 110 kv që kalonin sipër magazinës që po ndërtohej nga deputeti i Partisë Socialiste prej 2 mandatesh në Lushnje Bujar Çela, i cili mbeti i plagosur së bashku me gjashtë persona të tjerë të cilët kanë qenë duke punuar në magazinën e tij. Të dëmtuarit u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa për manovratorin e vinçit Roland Hoxha i cili ndërroi jetë në vendngjarjen dhe të birin Lidio, i cili ndërroi jetë 2 orë më vonë, mjekët nuk mundën të bëjnë gjë, pasi dëmtimet ishin të konsiderueshme. Për ta ishte dita e parë e punës ne këtë kantier qe rezultoi dhe e fundit.
Krahas deputetit Çela dhe 41-vjecari Sokol Lumi në Lushnjë janë të lënduarit Sajmir Korreshi, Ilia Sota, Lunedi Golemi, Eriget Gorovelli dhe Ervis Sharka.