Zbardhet dëshmia/ Punonjësi: Si ndodhi shpërthimi në magazinën ku humbën jetën babë e bir!

Report Tv ka zbardhur disa prej dëshmive të dosjes për shpërthimin në Lushnjë ku vdiqën Roland dhe Elidion Hoxha, babë e bir. Bledar Lika, shitës te biznesi me pije freskuese të Saimir Korreshit (njëri prej të plagosurve) u shpreh se ka qenë duke punuar në magazinë kur dëgjoi zhurmën e fortë. Ai tha se si pasojë e valës goditëse u thyen të gjithë xhamat e biznesit dhe një copë hekuri goditi në kokë klientin Sokol Lumi i cili u transportua më vonë drejt spitalit të Traumës për trajtim më të specializuar.

Ai tha se pasi ndodhi ngjarja u informua se kishte pasur shpërthim në magazinën e deputetit Bujar Çela dhe se kishte mbetur i plagosur edhe ky i fundit. Më tej, Lika ka rrëfyer se në magazinën e deputetit po kryheshin saldime prej një muaji por shtoi se nuk kishte pasur dijeni më herët se punimet po kryheshin në objektin e deputetit.

Ndërsa një tjetër person që ka qenë i pranishëm në momentin kur ka ndodhur shpërthimi, Alfred Tabaku, ka rrëfyer se gjithçka kishte ndodhur në çasin kur po dorëzonte disa pije freskuese në biznesin e Saimir Korreshit, i cili po ashtu mbeti i plagosur nga shpërthimi./shqiptarja.com

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *