Mungesa e firmës së ish-kryeministrit Sali Berisha në fletëthirrjen për seancën ndaj tij në Gjykatën e Posaçme, u bë shkak që seanca të shtyhej. Gjykata thotë në reagimin zyrtar se ndonëse konstatoi refuzimin për të nënshkruar fletëthirrjen nga Berisha, e konsideroi njoftimin si të kryer.
Pavarësisht dijenisë personalisht për datën dhe orën e zhvillimit të seancës së sotme gjyqësore, në kushtet që Berisha ndodhet me masë sigurimi personal shtrëngues “arrest në shtëpi“, nuk rezulton vullneti i tij lidhur me të drejtën për të marrë pjesë në këtë gjykim ose jo, për sa kohë nuk mund të paraqitet si shtetas i lirë në gjykatë.
Në këto kushte, Gjykata vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën për në 8 mars, në orën 09.00. Pas këtij vendimi, reagoi avokati Genc Gjokutaj, sipas të cilit vendimi është politik, madje tha se “gjyqtar i kësaj çështjeje është kryeministri Edi Rama”.