Gëzim Çela, ish-oficeri i forcave speciale i njohur ndryshe si ‘Baroni i drogës’ është ekstraduar sot në vendin tonë. Çela është shoqëruar nga forca të shumta policie, nën akuzën si kreu i një organizate kriminale për trafikimin e drogës, nga Shqipëria në Evropë.
“Ekstradohet i shumëkërkuari G. Ç., i akuzuar si kreu i një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike. Arrestimi në Ferizaj, Kosovë dhe ekstradimi i 56-vjeçarit, në Shqipëri, rezultate të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës, Policisë së Kosovës dhe ILECU-t. Si rezultat i partneritetit të konkretizuar me shkëmbim intensiv informacionesh, nëpërmjet Interpol Tiranës, dhe me veprime operacionale të përbashkëra, mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, paraditen e sotme, u bë i mundur ekstradimi në vendin tonë, i shtetasit të shumëkërkuar G. Ç., 56 vjeç, lindur në Fushë Kuqe, Kurbin. Shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, G. Ç. u arrestua më 08.12.2023, në Ferizaj, Kosovë, si rezultat i operacionit të përbashkët të koduar “Fundi i trishtë”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Korrupsionin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ai akuzohet si kreu i një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike, nga Shqipëria në Europë”, njofton policia.