Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela është vënë nën hetim pas shpërthimit disa ditë më parë në magazinën e tij në Lushnjë Mbi deputetetin rëndon vepra penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”.
Në lidhje me ngjarjen gjithashtu janë nën hetim edhe R.K, K.S, M.P, E.S. dhe I.U, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Fierit, gjykata vendosi “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për R.K, me detyrë kryeinspektor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, M.P, E.S., K.S, me detyrë inspektorë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit dhe I.U, me detyrë inspektor i përgjithshëm i Njësisë Bashkiake Nr. 5, në bashkinë Lushnjë. Pasi Prokuroria e Fierit shpalli moskompentencën, dosja i kaloi Prokurorisë së Posaçme.I vetmi i arrestuar për këtë ngjarje të rëndë, është sipërmarrësi i punimeve në magazinën e shërbimeve të deputetit të Lushnjës, Leonard Gjini, i cili doli sot para togave të zeza në gjykatën e Fierit, për t’u njohur me masën e sigurisë. Nga shpërthimi mbetën të vdekur atë e bir, Roland dhe Lidio Hoxha, u plagosën shtatë të tjerë dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale në banesat dhe bizneset pranë.