Edhe pse është verë, bombolat e gazit vijojnë të përdoren gjerësisht nëpër shtëpitë e shqiptarëve për gatim, por shumica e tyre janë të pasigurta.
Kjo ka shkaktuar edhe aksidentin e radhës në Tiranë, ku dy persona, nënë e bir, kanë mbetur të plagosur pas shpërthimit të bombolës së gazit në banesë.
Nga sa është mësuar prej policisë, nënë e bir janë dëmtuar dhe kanë përfunduar në spital si pasojë e shpërthimit të bombolës në shtëpinë e tyre. Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:00, në rrugën “Ali Kelmendi” në Tiranë.
Nënë e bir, me inicialet Z.Sh. dhe R.Sh., kanë qenë brenda shtëpisë kur ka ndodhur ngjarja dhe kanë marrë dëme të lehta fizike. Ata janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
“Me datë 30.06.2021, rreth orës 20:00, në rrugën “Ali Kelmendi” ka plasur një bombol gazi në banesën e shtetases Z.Sh. Si pasojë janë dëmtuar lehtë shtetasit Z.Sh. dhe R.Sh. (nënë e bir) të cilët u dërguan në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.
/Priza.al/