Treguesit e punësimit u përmirësuan gjatë vitit 2023, por struktura sipas grup-moshës e të punësuarve tregon se, ka një tkurrje të forte të rinjve dhe një rritje të punësimit tek personat në moshë pensioni mbi 64 -vjeç raporton INSTAT. Gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2023 sipas të dhënave nga Anketa e Forcës së Punës ishin të punësuar mbi 253,5 mijë persona të moshës 15-29 vjeç ose 21 mijë më pak se në të njëjtën periudhe të vitit 2022. Të dhëna të detajuara nga INSTAT tregojnë se punësimi në këtë kategori ra me -7.7%. Me përjashtim të periudhës korrik-shtator, kur është kulmi i turizmit, në tre tremujorët e tretë numri i të punësuarve të grup moshës 15-29 vjeç erdhi në rënie.
Rënia e punësimit në moshat e reja u shoqërua me rritje jo të zakonte të punësimit të pensionistëve (grup-mosha mbi 64 vjeç). Sipas INSTAT punësimi në këtë grup pati një zgjerim vjetor me gati 50% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Gati 82 mijë persona mbi 64 vjeç ishin në punë në tetor-dhjetor 2023 nga 54,5 mijë që ishin në të njëjtën periudhe të vitit 2022. Të dhënat tregojnë se, ishin punësuar mbi 27 mijë pensionistë më shumë se në 3 mujorin e fundit të vitit 2022.
Ka një tendencë vitet e fundit se kur bie punësimi i të rinjve ka më shumë të punësuar mes pensionistëve. Punësimi i të rinjve po has në vështirësi vitet e fundit duke reflektuar një rikthim të papunësisë edhe pse tregu i punës ka shfaqur kërkesë të fortë sidomos pas pandemisë. Në një kohë që popullsia e vendit po tkurret nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë i të rinjve, duhet të rriteshin hapësirat për punësimin e të rinjve, por nuk po ndodh kështu. INSTAT raportoi se, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 0,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e tretë 2023, ky tregues është ulur me 0,02 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup moshën 30-64 vjeç është 7,9%. Në terma vjetorë ky tregues është rritur me 0,3 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një rritje me 0,4 pikë përqindje.
Në tremujorin e katërt të vitit 2023 shkalla e punësimit të të rinjve ishte 43,1%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shkalla e punësimit të rinjve është ulur me 1,5 pikë përqindje dhe në krahasim me tremujorin e tretë 2023 është ulur me 1,7 pikë përqindje. Ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2023, shkalla e punësimit është 77,5%.
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 72,6% te të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 1,4%, klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 15,8% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe./monitor