Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi është arrestuar në orët e mbrëmjes së djeshme me kërkesë të SPAK. Të paktën 3 urdhër arreste me burg mes të cilëve edhe biznesmeni Valter Begaj, janë firmosur nga GJKKO me kërkesë të organit të procedurës pasi ky i fundit ka zbardhur disa paligjshmëri.
Atij i janë gjetur dhe sekuestruar në banesë edhe shuma parash e sendesh me vlerë. Berberi ishte nën hetim nga Prokuroria e Posaçme rreth dy javë më parë, lidhur me çështjen e shitjes së një kompanie në vitin 2018. Bëhet fjalë për një transferim fiktiv të kompanisë me qëllim që Berberi, të shmangte konfliktin e interesit, pak para se të emërohej si këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Berberi u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021.